Mustafa: Përkrahja e Bankës Botërore esenciale për zhvillimin ekonomik të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur të hënën në takim zëvendës presidentin e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, Cyril Muller.

Lajme

29/02/2016 16:54

 

Gjatë takimit u bisedua për proceset zhvillimore ekonomike në Kosovë dhe për bashkëpunimin e përkrahjen e mëtejshme të Bankës Botërore për Kosovën.

Kryeministri Mustafa e njoftoi për progresin në Kosovë, për rezultatet e reformave substanciale fiskale e strukturore që janë ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës, si dhe për avancimin e vazhdueshëm të ambientit biznesor e të aspekteve tjera që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social në Kosovë.

Kryeministri Mustafa kërkoi përkrahje të mëtejshme të Bankës Botërore për projektet zhvillimore ekonomike.

Ndërkaq, zëvendës presidenti i Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, Cyril Muller, vlerësoi progresin në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e Bankës Botërore për Kosovën.

“Grupi i Bankës Botërore është i përkushtuar për të vazhduar për të ndihmuar Kosovën në mirëmbajtjen e stabilitetit makroekonomik, në përmirësimin e rrjetit të infrastrukturës dhe mjedisit për biznes, në përmirësimin e menaxhimit të burimeve natyrore dhe në ndërtimin e kapitalit njerëzor, me qëllim të arritjes së cakut afatgjatë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe ndërtimit të një vendi prosperues”, tha zëvendës presidenti Muller.

Gjatë takimit, është biseduar edhe për Diagnozën Sistematike të Vendit, ku janë identifikuar pengesat kryesore për zhvillim, të cilat në masë të madhe janë në përputhje me pengesat e identifikuara në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit dhe në Programin e Reformave Ekonomike, të cilat Qeveria e Kosovës i ka në proces të adresimit./lajmi.net