Mustafa, Osmani dhe Gashi nuk dinë që në LDK ka “hallakamë”

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se të gjithë në partinë e tij e kanë përkrahur marrëveshjen e partive opozitare për të formuar “Qeverinë e Shpresës”.

Lajme

29/06/2014 15:23

Ai nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se në LDK nuk ka “hallakamë”, duke dematuar shkrimet e disa mediave online.

“Kryesia e LDK-se dhe degët e LDK-së e kanë përkrahur marrëveshjen LDK, AAK dhe Nisma. Nuk ka pasur asnjë takim tjetër në të cilin është kundërshtuar kjo marrëveshje. LDK nuk ka Këshill Drejtues, dhe nuk ka pasur asnjë takim tjetër e as “hallakamë”, siç shkruan në Portalin Indeksonline. Apeloj që këtij procesi, që është shumë I rëndësishëm për Kosovën, t’i ndihmojmë me një qasje objektive dhe konstruktive nga të mediat e shkruara dhe elektronike”, ka shkruar Mustafa.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Naser Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar pas shkrimit se disa anëtarë të Kryesisë së LDK-së kanë dalë kundër koalicionit me AAK-në dhe Nismën për të formuar qeverinë e re.

Osmani ka thënë se “shkrimi mbështetet në të pavërteta të shumta, LDK-ja nuk ka pasur debate të atilla. Arben Gashi dhe Armend Zemaj nuk janë anëtarë të Kryesisë së LDK-së qe ata të kishin deklaruar për koalicionin eventual”.

“Unë deklaroj që të gjitha janë krejtësisht te pavërteta në shkrimin e gazetarëve, të dirigjuar nga SHIK-u. Unë them që LDK është shumë unike, shumë e harmonizuar dhe shumë e disiplinuar sipas hierarkisë së partisë. E gjithë Kryesia e LDK-së, si dhe unë mbështesim çdo veprim të kryetarit Isa Mustafa”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Arben Gashi ka shkruar se ende në asnjë forum partiak nuk është diskutuar për koalicionet dhe as për rezultatin e zgjedhjeve të fundit nacionale.

Gashi përmes një postimi në Facebook ka thënë se nuk ka asnjë informacion se LDK-ja ka mbajtur takime të tilla, siç kanë raportuar disa media.

“Lajmet në disa media për takim dhe për debate në strukturat e LDK në lidhje me koalicionin janë të pavërteta, unë nuk kam marr pjesë në asnjë takim, dhe nuk kam informacion se takimi i përfolur të ketë ndodhur ndonjëherë. LDK e bashkuar” (sic), ka shkruar Gashi.