Mustafa: Opozita ta pranojë që ka kauzë false

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa thotë se partitë opozitare bëjnë mirë që të pranojnë që kanë pasur kauzë false dhe të kthehen në Kuvend.

Lajme

08/02/2016 22:42

Mustafa thotë përmes dhunës po i shkaktohen plagë të mëdha Kosovës. Ai thotë se vendi nuk meriton sjellje të tilla.

Kryeministri Mustafa thotë se Kosovës i duhet një opozitë demokratike, opozitë të argumenteve, raporton lajmi.net.

Statusi i plotë i kryeministrit Isa Mustafa:

Opozita, edhe përkundër dëmeve që ia shkaktoi vendit për një periudhë të gjatë, është më mirë të pranojë se kishte kauzë false e të kthehet në Kuvend. Më mirë është të pranohet gabimi se sa të insistohet në gabimet për ta dëmtuar vendin.

Lidershipi nuk matet me atributet që liderët dhe vartësit e tyre ia përshkruajnë vetvetes por nga vlerësimi i qytetar për dhunën dhe plagët që po i shkaktohen Kosovës nga sjelljet e tilla. Kosova nuk e meriton dhunën. Policët e Kosovës, djemtë tanë, shumica luftëtarë të këtij vendi, nuk ka askush të drejtë ti gjuaj dhe ti plagosë me gurë e t’ua vë flakën me shishe molotovi.

Nëna e baballarë, motra e vëllezër, mos lejoni që djemtë e vajzat tuaja, motrat e vëllezërit tuaj të kryejnë veprime të tilla. Njerëzit që u përgjakën me gurë, janë bijtë e këtij vendi.

Kosovës i nevojitet opozitë demokratike, opozitë e argumenteve. Njerëzit e opozitës sonë mund të jenë të tillë. Por, duhet të heqin dorë nga dhuna! IM