Mustafa numëron të arriturat e Qeverisë për vitin 2015

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa sot ka zgjedhur rrjetin social Facebook, për të prezantuar të arriturat e Qeverisë që ai drejton për vitin 2015.

Lajme

17/04/2016 08:48

Mustafa thotë se arritjet e mposhte kanë të bëjnë me fushën e qeverisjes së mirë dhe fuqizimit të ligjit, raporton lajmi.net.

Ndër arritjet e Qeverisë, kryeministri Mustafa përmend shpërbërjen e strukturave të mbrojtjes civile dhe integrimin e komunave veriore, përmirësimin e financimit dhe infrastrukturës fizike të prokurorisë dhe gjyqësorit, mosemërimin e asnjë anëtari në organin ekzekutiv, nëse emri i tij lidhet me afera korruptive si dhe parandalimin e shkruarjes së kosovarëve në luftëra të huaja.

Lexoni të plotë statusin e kryeministrit Mustafa:

Qytetarë të nderuar,

Me respekt po ju informoj se këto janë disa nga të arriturat e Qeverisë që unë e drejtoj, në vitin 2015, në fushën e qeverisjes së mirë dhe fuqizimit të ligjit:

– Pavarësimi i plotë i legjislativit, me ndryshimet e Kushtetutës dhe ligjeve;

– Integrimi i komunave veriore në sistemin e drejtësisë dhe shpërbërja e strukturave të mbrojtjes civile;

– Përgatitja dhe procedimi i 80 projektligjeve në Kuvendin e Kosovës;

– Reformat e rëndësishme në administratën publike.

– Përmirësimi i financimit dhe infrastrukturës fizike të prokurorisë dhe gjyqësorit ;

– Punë e vlerësuar lart e Policisë së Kosovës në menaxhimin e të gjitha situatave;

– Qeveria ka qartësuar qëndrimin e saj se nuk do të lejojë në asnjë rast që njerëzit e lidhur me korrupsion dhe krimin e organizuar të jenë pjesë të saj ose të organeve që ajo i emëron. Është bërë ndryshimi i Ligjit për Prokurim Publik, kompletimi i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, ndryshimet në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, përgatitja e platformës për fillimin e prokurimit elektronik nga viti 2016, suspendimi i shërbyesve civil ndaj të cilëve ishin ngritë aktakuza;

– Për herë të parë Agjencia Kosovar e Privatizimit bëri transparente rastet e uzurpimeve të pronave shoqërore. Po bëhen transparente edhe rastet e privatizimeve.

– Rishikimi nga Qeveria dhe ministritë i vendimeve dhe kontratave të cilat mund të cenojnë konkurrencën apo mund tu shërbejnë monopoleve dhe grupeve të interesit;

– Kuvendi, me propozim të Qeverisë, aprovoi Ligjin, i cili ndalon bashkimin e qytetarëve tanë në konflikte të jashtme.

– Qeveria aprovoi strategjinë për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm që qon në terrorizëm;

– Policia, AKI, organet e drejtësisë janë treguar efikase në parandalimin e shkuarjes së individëve nga Kosova në konfliktet e jashtme. Për 7 muajt e fundit nuk është shënuar asnjë rast i bashkëngjitjes në konflikte të jashtme.IM