Mustafa nuk frikësohet nga Kushtetuesja

Isa Mustafa, i cili u zgjodh në postin e kryetarit të Kuvendit më 17 korrik, vlerëson se nuk ka pasur asgjë jolegjitime në zgjedhjen e tij.

Lajme

21/07/2014 18:56

Në një intervistë për Info Magazinë të Klan Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se shkelja e vetme gjatë seancës konstituive është bërë nga kryesuesja e seancës konstituive, Flora Brovina.

“Unë mendoj se ka qenë shumë demokratike dhe ka qenë më demokratike se zakonisht. Kanë marrë pjesë 2/3 e deputetëve. Problem ka qenë shkelja e rregullores nga kryesuesja Flora Brovina, sepse e ka bllokuar Kuvendin për dy orë e gjysmë. Nuk e di se për çfarë arsye ajo ka kërkuar pauzë, ndërsa deputetët nuk kanë dashur, sepse nuk ka pasur arsye”, tha ai.

“Unë konsideroj se nuk ka legjitimitet të cunguar, këtu është legjitimiteti i plotë, sepse shumica e  deputetëve kanë dhënë votën. Kushtetuta vlerëson se grupi më i madh parlamentar duhet të kandidojë dhe LDK-AAK-Nisma është grupi më i madh me 47 deputetë”, shtoi ai.

Lideri i LDK-së tha se nuk frikësohet aspak nga vendimi që do të marrë Kushtetuesja. Sipas tij, Kushtetuesja duhet të merret me sjelljen “uzurpuese” të Flora Brovinës dhe të veprojë mbi baza ligjore e jo politike.

“Në asnjë rast nuk më frikëson, por varet se çfarë vendimi merr Kushtetuesja. Unë vlerësoj se s’ka arsye të kthehet procedura në pikën zero, pavarësisht bllokimeve nga Brovina, e cila e uzurpoi vendin e kryesueses. Unë mendoj se dikush duhet të merret me këtë sjellje dhe jo me votat e deputetëve”, tha Mustafa.

“Unë mendoj se të gjithë duhet ti besojmë dhe besoj se Kushtetuesja do të veprojë mbi baza ligjore dhe jo mbi baza politike”.

“Në asnjë rast nuk kam problem si lider me Kushtetutën, sepse nuk është çështje personale por është çështje e Kuvendit”.

Mustafa nuk pranoi se ka pasur ndërhyrje të ndërkombëtare në zgjedhjen e tij, por tha se edhe SHBA-të dhe të gjithë përfaqësuesit diplomatikë kanë qenë të interesuar që seanca konstituive të shkojë sa më mirë.

I pyetur se çka mendon që asnjë përfaqësi diplomatike e huaj nuk e ka ururar për zgjedhjen, Mustafa vlerësoi se ato kanë qenë të kujdesshme ndaj kësaj pasi qç çështja është dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe, sipas tij, ata nuk kanëd ashur që të paragjykojnë vendim,in që do ta marrë Kushtetuesja.

“Këtu ndërhyrje nuk ka pasur, por ka pasur interesim edhe të ambasadores së SHBA-ve dhe të tjerëve që të ketë një seancë të rregullt. Ne nuk kemi krijuar problem lidhur me vendet në Kuvend sepse kemi qenë të interesuar që Kuvendi të kryejë konstituimin”.

Duke folur për Listën Srpska dhe votën pro që mori nga deputetët serbë, Mustafa tha se më 16 korrik përfaqësuesit e këtij subjekti i kanë thënë atij se ata do të votojnë pro kandidaturës së tij. Por, Mustafa nuk e di nëse ndërkombëtarët kanë pasur “gisht” në këtë veprim të Listës Srpska.

“Nuk mund të them se ka pasur ndërhyrje të ndërkombëtarëve. Si kanë biseduar ata me Listën Srpska unë nuk e di. Por unë një ditë më parë kam zhvilluar takim me Listën Srpska dhe ata na kanë thënë se ne do të ju japim votën sepse ne duam që të konstituohen institucionet, dhe ky është si gjest i joni, kurse për krijimin e qeverisë do të ulemi sërish të bisedojmë. Ata nuk duan ta përziejnë votën për kryeparlamentar me atë për qeevrinë e re”.

Teksa ka folur për mungesën e urimeve për marrjen e postit të ri, Mustafa tha se ndërkombëtarët po tregohen të kujdesshëm, pasi që PDK-ja ka deponuar një kërkesë në Kushtetuese për këtë çështje,

“Nuk e di pse ndodh, por mendoj se përfaqësitë diplomatike presin sepse ka ankesë në Gjykatën Kushtetuese dhe ata e presin përgjigjen dhe nuk duan të interferojnë. Unë konsideroj se kjo është një sjellje e kujdesshme”.