Mustafa nga Konventa e PPE-së pret ndihmë në rrugën evropiane të Kosovës

Kreu i LDK-së, njëherësh kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa, po qëndron në Maltë ku po merr pjesë në Konventën e Partive Popullore Evropiane bashkë me nënkryetarët Lutfi Haziri dhe Haki Rugova, kryetaren e Forumit të Gruas, Lirie Kajtazi, sekretarin e përgjithshëm Ismet Beqiri dhe anëtarët e kryesisë Vlora Dumoshi e Arban Abrashi.

Lajme

29/03/2017 14:30

Kongresi i Maltës, i cili do të fokusohet në politikat e jashtme, të sigurisë, në zhvillimin ekonomik dhe realitetin digjital, pritet të konkludojë me dokumente konkrete për të ardhmen e Evropës.

“Gjatë punimeve të Kongresit, që po zhvillohet në një periudhë shumë të rëndësishme për Evropën, delegacioni i LDK-së do të ketë mundësi të takohet me liderë shtetesh, drejtues të mekanizmave të BE-së si dhe drejtuesit e partive kryesore evropiane të qendrës së djathtë. Familja e madhe evropiane e partive të qendrës së djathtë, ku LDK-ja e përfaqëson Kosovën në mënyrën më dinjitoze, do të vazhdojë të ketë rol qendror në politikat e BE-së, duke ofruar përkrahje të mëtejme për rrugën evropiane dhe euroatlantike të Republikës së Kosovës”, ka thënë Mustafa përmes një postimi në Facebook.

Gjatë dy ditëve të Kongresit të Maltës, të pranishmëve, përveç kryeministrit Isa Mustafa, pritet t’iu drejtohen dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, kancelarja gjermane, Angela Merkel, kryeministri spanjoll Mariano Rajoy, presidenti i Qipros, Nicos Anastasiades, presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, kryetari i Qeverisë së Irlandës, Enda Kenny, kryeministri hungarez, Viktor Orban, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, presidenti i Armenisë, Serzh Sargsyan, presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, kryeministri i Maqedonisë, Emil Dimitriev dhe shumë udhëheqës të lartë të qeverive dhe të partive politike të fuqishme evropiane.

Në Kongresin e Maltës, ku do të jetë i pranishëm edhe Presidenti i EPP-së Joseph Daul, pritet të marrin pjesë rreth 2500 pjesëmarrës nga më shumë se 40 shtete.