Mustafa: Nëse kushtetuesja na rrëzon, bëhemi edhe më të fortë

Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Isa Mustafa thotë se, nuk i friksohet vendimit të Gjykatës Kushtetuese edhe në rast se e shpallë të jashtëligjshme zgjedhjen e tij. Bile sipas tij, kjo do ta fuqizonte edhe më shumë koalicionin, i cili në një rast tjetër do t’i kishte mbi 80 deputetë. 

Lajme

18/07/2014 19:33

Mustafa në një intervistë për Express, ka thënë se nuk i friksohen asnjë vendimi të Gjykatës Kushtetuese, pasi ajo s’merret me vlerësime politike.

Sipas tij, secili duhet ta dijë se 83 deputetë mund të vendosin edhe për ndërrimin e Kushtetutës.

Mustafa thotë se nuk kanë dashur të krijojnë ndonjë situatë të pahijshme ditën e konstituimit të Kuvendit, por sipas tij, ata vlerësojnë se vendet e mesit në Kuvend i takojnë grupit më të madh parlamentar LDK-AAK-NISMA me 47 deputetë.

Mustafa tha se pavarësisht kësaj ata nuk qëndruan në këmbë ashtu siç kishte paralajmëruar, pasi sipas tij, kishin të bënin me një seancë punuese.

Ndërsa sa i përket marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje, Mustafa thotë se kanë pasur përafrime shumë në qëndrimeve, por ishte kohë e shkurtër t’i harmonizonin ato te temat për dialogun dhe privatizimin. Megjithatë ai beson se gjatë bisedave ditët në vazhdim do të arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët.

Ai falënderon Vetëvendosjen, siç thotë, në qëndrimin shumë konstruktiv dhe shtetformues në Kuvend.

Duke folur për atë se ai ende nuk ka marrë asnjë urim nga ndërkombëtarët në Kosovë, apo nga ndonjë homolog i ndonjë vendi mik të Kosovës, Mustafa thotë se kjo nuk e brengosë shumë. Ai e vlerëson të rëndësishëm faktin se gjatë zgjedhjes së tij, në seancë ishin 83 deputetë.

Ai thotë se nuk i frikësohet Gjykatës Kushtetuese, pasi sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk vendos se si do të votojnë deputetët e Republikës së Kosovës.

“Vota e deputetëve ka ndodh, qëndrimi i deputetëve është aty dhe kjo është çështje politike. Ne kemi besim në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo, secili jemi të vetëdijshëm se kjo gjykatë s’merret me vlerësime politike, por merret vetëm me aspekte juridike”.

Ndërsa në një rast nëse Gjykata Kushtetuese vendos të shpallë jo legjitime seancën kur Mustafa u zgjodh kryetar, ai thotë se pavarësisht kësaj, koalicioni do të jetë i palëkundur, bile sipas tij ai mund të fuqizohet edhe më shumë. “Mendoj, se nëse i hyjmë edhe një herë këtij procesi ne do të kemi më shumë se 80 vota për Kryetar të Kuvendit. Prandaj, ardhmëria e koalicionit do të jetë edhe më i fuqishëm, por nuk shoh asnjë arsye të kontestohet vullneti i 83 deputetëve të pranishëm në seancë”.