Mustafa në prag të vizitës së Biden-it: Ata që thirrën në Rugovizëm, të besojnë tek SHBA-të

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, vizitën e zëvendëspresidentit të SHBA-së, Joseph Biden, ka quajtur si konfirmim të marrëdhënieve speciale të dy vendeve.

Lajme

13/08/2016 12:53

Në prag të kësaj vizite, Mustafa, përmes një postimi në Facebook, u ka bërë thirrje edhe disa deputetëve të partisë së tij, LDK-së, të cilët thirrën në ideologjinë e ish-presidentit Ibrahim Rugova (Rugovizëm), se duhet të kenë besim tek SHBA-të, transmeton lajmi.net.

Vizita e zv.presidentit amerikan Biden në Kosovë pritet të bëhet më 17 të këtij muaji.

Postimi i plotë i kryeministrit Mustafa:

“Po bëjmë përgatitjet intesive për pritjen e mikut të madh të Kosovës, Zëvendëspresidentit të SHBA-së, Joe Bajden.

Vizita e njeriut të dytë të demokracisë botërore është një ngjarje e madhe dhe e veçantë për Kosovën.

Themel i rugovizmit, pra i strategjisë politike të Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova ishte miqësia e përhershme me SHBA-të.

Aleanca Veriatlantike e udhëhequr nga SHBA e shpëtoi Kosovën nga ekzodi, shfarosja dhe zhbërja.
SHBA ishte aleati ynë kryesor në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike.

Ekspertiza politike dhe mbështetja e SHBA-së kanë qenë dhe janë jetike për Kosovën.

Ata që thirren në rugovizëm duhet të kenë besim në SHBA-të, sepse ky besim dhe kjo miqësi janë gurthemel, jo vetëm i misionit dhe vizionit të politikave tona shtetërore por kosideroj se edhe, i fatit të vendit tonë.

Vizita e Zëvendëspresidentit Bajden është konfirmim i përkushtimit tonë të përbashkët që marrëdhëniet me fqinjët, politikat gjeostrategjike dhe integrimet euroatlantike ti ndërtojmë në partneritet të plotë me SHBA-të” (sic), ka shkruar Mustafa.