Mustafa nderon britanikun, veteran i UÇK-së

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, sot në Londër mori pjesë në pritjen për trupin diplomatik të organizuar me rastin e shënimit të 8 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, si dhe ka ndarë certifikatën e Veteranit Luftëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për luftëtarin e lirisë, Jonathan Harrison.

Lajme

23/02/2016 23:28

 

Gjatë ndarjes së certifikatës për luftëtarin e lirisë, Jonathan Harrison, kryeministri Mustafa, në emër të Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës ka shprehur mirënjohjen dhe konsideratat më të larta për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Image

“Të gjithë qytetarët e Kosovës i dinë vlerat dhe kontributin tuaj dhe ne mburremi me njerëzit që në kohërat më të vështira i kanë dalë në krah popullit të Kosovës. Ju do të mbeteni gjithnjë mik i Kosovës”, tha Mustafa.

Ndërkaq, para pjesëmarrësve në pritjen e organizuar me rastin e shënimit të 8 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, të organizuar në Ambasadën e Kosovës në Londër, ku ishin prezent përfaqësues të institucioneve të Mbretërisë së Bashkuar, ambasadorë, diplomatë dhe përfaqësues të jetës akademike në Londër, kryeministri Isa Mustafa tha se liria dhe pavarësia e Kosovës, janë arritur së bashku me shtetet që edhe sot po vazhdojnë ta përkrahin Republikën e Kosovës, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera mike.

Image

“Ju na keni ndihmuar në kohërat më të vështira, na keni ndihmuar për të ndërtuar një shtet demokratik. Ne kemi nevojë të mësojmë edhe më tutje nga ju dhe kemi nevojë që këtë udhë ta bëjmë së bashku me ju”, tha kryeministri Mustafa.

Duke iu referuar nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian, Mustafa tha se kjo është marrëveshja e parë kontraktuale që i mundëson Kosovës të jetë prezente më tepër në jetën ekonomike të BE-së, të shfrytëzojë përvojat dhe traditat evropiane për ndërtimin e shtetit ligjor, të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe që të avancojë në proceset integruese evropiane.

“Ajo që ne synojmë është që të jemi anëtar të BE-së. Ne e dimë që kemi shumë punë për të bërë, duhet të kalojmë shumë sfida, të mësojmë shumë, të punojmë shumë dhe këtë dëshirojmë që ta bëjmë së bashku me ju”, tha kryeministri Mustafa.

Image

Të pranishmit në pritje i ka përshëndetur edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Londër, Lirim Greiçevci.

Po ashtu, është prezantuar edhe një ekspozitë me fotografi nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008./lajmi.net

Image

ImageImage