Mustafa nderohet me medaljen “Nderi i Akademisë”

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shqipëri, kryeministri Mustafa ka zhvilluar një vizitë të veçantë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, ku është pritur nga kryetari i saj, Akademik Muzafer Korkuti.

Lajme

09/03/2015 19:07

Akademik Korkuti ia ka dorëzuar kryeministrit, Akademikut Isa Mustafa Medaljen “Nderi i Akademisë”, me motivacionin “Për kontribut të spikatur shkencor e pedagogjik, për arritje të çmuara personale në ndërthurjen e vlerave të shkencës me kapacitetet administrative të drejtimit të pushtetit vendor dhe atij qendror në të mirë të zhvillimit ekonomik e shoqëror, për mbështetjen e vazhdueshme të marrëdhënieve mes akademive tona dhe më gjerë të shkencës si faktor zhvillimi e mirëqenie në Republikën e Kosovës”.

Mustafa falënderoi ASHS-në për këtë nderim, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat e shkencës, në arsim, kulturë e në fushat e tjera të jetës, ndërmjet dy vendeve.

Akademiku Korkuti ka vlerësuar faktin që pjesë e vizitës së parë zyrtare të kryeministrit të Kosovës në Shqipëri ishte edhe takimi me akademikët shqiptarë, si një vlerësim për shkencën, shkëmbimet akademike dhe bashkëpunimin mes studiuesve dhe shkencëtarëve të të dy vendeve.

Akademikët shqiptarë vlerësuan lart orientimin e shtetit dhe autoriteteve të Kosovës lidhur me vlerat dhe kapacitetet akademike.