Mustafa: Mosvotimi i FAK, pasojë e gjimnastikave joparimore të Thaçit

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka shkruar në profilin e tij në Facebook se vendi po kalon nëpër një proces të ndjeshëm dhe të rëndësishëm, ndërsa partia e tij dhe ai po përpiqen që të kontribuojnë për ta kaluar ngërçin politik, të cilin, sipas tij, e ka krijuar paaftësia e qeverisjes aktuale.

Lajme

06/05/2014 23:37

“Si u pa, përbërja aktuale e Kuvendit të Republikës nuk ishte në gjendje ta procedojë miratimin e krijimit të Forcave të Armatosura. Kjo situatë ka ardhur, kryekëput për shkak të gjimnastikave joparimore në qeverisjen e Kosovës dhe mungesës së vizionit të saj për të ndërtuar partneritet të qëndrueshëm dhe afatgjatë me përfaqësuesit e shumicës dhe ata të pakicave”, ka shkruar Mustafa.

Mustafa ka thënë se, siç është parë, LDK-ja, pavarësisht se ka lexuar me kohë tendencat për përfitime elektorale me procese të rëndësishme për të sotmen dhe të ardhmen e vendit, siç ishte krijimi i Forcave të Armatosura, ka bërë gjithçka ka qenë në mundësinë e saj për t’i çuar përpara proceset e stabilitetit institucional, në funksion të kompletimit të shtet-ndërtimit”.

Kreu i opozitës ka shkruar më tej se LDK u bën thirrje deputetëve të të gjitha grupeve parlamentare që të bashkohen për t’i dhënë fund kësaj praktike qeverisëse dhe t’u mundësohet qytetarëve që përmes zgjedhjeve të parakohshme të shprehin vullnetin e tyre për qeverisjen e ardhshme të vendit.

“Me mbështetjen e qytetarëve, shumica e re parlamentare, e cila jam i bindur se do të drejtohet nga LDK, qytetarëve do t’u ofrojë stabilitet institucional, perspektivë zhvillimore e integruese. Sepse ajo do të bazohet në partneritet strategjik dhe parimor, me partnerët e vet të koalicionit, qofshin ata që përfaqësojnë vullnetin e shumicës shqiptare, apo edhe të pakicave që jetojnë në Kosovë”, ka shkruar Mustafa në Facebook.