Mustafa: Mos u frikësoni nga Serbia, por nga manipuluesit e emocioneve të qytetarëve

(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka bërë thirrje që populli të mos ketë frikë nga fjalët që vijnë nga Serbia për tokën e Kosovës, por të frikësohen nga manipuluesit e emocioneve të qytetarëve. Ai ka kritikuar partitë opozitare se në Kuvendin e Kosovës kanë votuar për likuidimin e Trepçs dhe dorëzimin e saj në duar të kreditorëve të dyshimtë nga Greqia e Serbia. 

Lajme

25/01/2015 09:55

Mustafa thotë se fjalët që vijnë nga Serbia janë vetëm fjalë, ndërsa toka është e jona. Andaj, thotë ai, duhet të frikësohemi nga manipuluesit e emocioneve të qytetarëve për të shkatërruar demokracinë e vendit.

“Ata, që iu mbet merak me e dërguar Trepçën në likuidim, për t’i zhdukur të gjitha gjurmët e vjedhjeve, kontrabandës, keqpërdorimeve dhe manipulimeve, tani e quajnë të shantazhuar Qeverinë e cila së bashku me shumicën e deputetëve të Kuvendit e shpëtoi në momentin e fundit nga falimentimit dhe nga mbetja pa punë e mbi 5,000 punëtorëve”, ka shkruar kryeministri Mustafa.

“Pse kemi nevojë të thërrasim se ‘Trepça është e jona’, kur ajo është në territorin tanë, siç janë të gjitha pronat e tjera. A duhet të thërrasin në protesta që Kosova është e jona?! Mos u frikësoni nga fjalët që vijnë nga Serbia, sepse ato janë fjalë e kjo është tokë, e jona. Frikësohuni nga ata që manipulojnë me emocionet e qytetarëve për ta shkatërruar pasurinë dhe për ta rrënuar demokracinë, edhe ashtu të brishtë, të këtij vendi”, ka shkruar Isa Mustafa.

Në një postim tjetër të mëvonshëm, Mustafa sot ka kritikuar edhe qasjen e partive opozitare në këtë protestë.

“Xehetarë të dashur, Qytetarë të Kosovës, Vetëvendosja, AAK-ja dhe Nisma, më 19 janar 2015 votuan kundër ndryshimit të ligjit, i cili duhej të nxirrej në momentet e fundit në Kuvend, për të pamundësuar një vendim gjykate e cila e qonte Trepçën në likuidim. Këta që dje thërrisnin Trepça është e jona dhe bartnin pankarta, atë ditë ishin të gatshëm që Trepçën t’ua dorëzonin kreditorëve, të cilët janë nga Serbia e Greqia, shqiptarë e serbë të korruptuar dhe me dokumente të dyshimta”, ka shkruar Mustafa.

“Kjo është e vërteta jonë për Trepçën në këto momente dhe dyfytyrësia jonë”,shkruan Mustafa në fund.