Mustafa merr mbështetje nga Borut Pahor

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vizitës zyrtare në Lubjanë, u prit në takim nga presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor.

Lajme

12/05/2015 18:23

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e ka njoftuar presidentin Pahor për progresin e vazhdueshëm që po arrihet në Republikën e Kosovës.

Mustafa theksoi prioritetet e Programit Qeverisës për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, punësimin dhe mirëqenien, sundimin e ligjit, si dhe agjendën integruese evropiane dhe reformat thelbësore në arsim dhe në shëndetësi, si pjesë e zhvillimit të vendit.

Kryeministri Mustafa theksoi angazhimin e veçantë të Qeverisë së Kosovës në proceset integruese evropiane, për nënshkrimin e shpejt të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si dhe për nevojën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kreu i ekzekutivit kosovarë e falënderoi presidentin Pahor për përkrahjen që Sllovenia ka dhënë për Kosovën, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të thelluar bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy shteteve.

Ndërkaq, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të Sllovenisë për Kosovën.

Gjatë takimit, presidenti Pahor shprehu përkushtimin e Republikës së Sllovenisë për të fuqizuar marrëdhëniet me Republikën e Kosovës.

Presidenti slloven Borut Pahor po ashtu u interesua për zhvillimin ekonomik, proceset politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon.

Kryeministri Isa Mustafa dhe presidenti Borut Pahor biseduan edhe për zhvillimet e fundit në Kumanovë të Maqedonisë, duke shprehur shqetësimin dhe duke bërë thirrje për tejkalimin e situatës dhe rikthimin sa më të shpejt të stabilitetit.