Mustafa: Më 22 tetor LDK do të bëjë kthesën e fitores (Foto)

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në hapjen e fushatës zgjedhore në sallën “1 Tetori”, ka thënë se LDK-ja në zgjedhjet e 22 tetorit do të bëjë kthesë të fitores.

Lajme

21/09/2017 17:47

“Jemi këtu në Prishtinë, në këtë sallë në të cilën në vitin 2009 e kemi arrit fitoren më të madhe në Prishtinë dhe ky është hapi që do ta ndërmarrim sot, që ne të forcojmë fitoren në të gjitha komunat që kemi udhëhequr këto vite”, ka thënë Mustafa.

Ai ka theksuar se më 22 tetor, Haki Rugova do të rizgjidhet kryetar i Istogut, Agim Veliu do të rizgjidhet kryetar i Podujevës, Lutfi Haziri do të jetë prapë kryetar i Gjilanit, Gazmend Muhaxhiri do të jetë sërish kryetar i Pejës, Muharrem Sfarqa do jetë sërish në krye të Ferizajt, Sokol Haliti në Viti, Imri Ahmeti në Lipjan, Sali Asllanaj në krye të Suharekës dhe Burim Berisha në krye të Fushë Kosovës, shkruan Telegrafi.

Mustafa theksoi se në këto zgjedhje edhe Prizreni do ta përmbyll qeverisjen e keqe, e këtë sipas tij do ta bëjë Hatim Baxhaku.

“Kjo do të jetë fitore e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Njerëzit tanë do të bëjnë kthesë pozitive kthesë të fitores në Dragash e Kamenicë, Kaqanik e Han të Elezit, Shtime e Rahovec, Malishevë e Klinë, Deçan e Junik, Gjakovë e Mitrovicë, Vushtrri e Obiliq por edhe në Novobërdë”, u shpreh Mustafa, duke theksuar se ka ardhur koha që edhe Drenasi e Skenderaj të votojnë ndryshe, të votojnë për LDK-në.

Mustafa theksio se LDK është kampione e dijes dhe zhvillimit ekonomik të këtij vendi, dhe se LDK ka qeverisur me duar të pastra.

“LDK është e vetmja parti që ka guxim të luftojë korrupsionin e nepotizmin pasi që ne jemi të mbrojtur nga këto”, tha Mustafa. Në fund Mustafa ka prezantuar të gjithë kandidatët e LDK-së për kryetar komunash.