Mustafa: Listën Serbe s’e solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj

Kryeministri Isa Mustafa ka reaguar sërish sot, duke thënë se Listën Serbe ai nuk e solli, por e gjeti në “mesin tonë”.

Lajme

25/01/2015 13:20

Mustafa thotë se Lista Serbe erdhi si rezultat i veriut të ndarë, votave të qytetarëve serbë dhe dialogut Kosovë-Serbi.

Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të kryeministrit Mustafa postuar në Facebook:

Për hire të së vërtetës!

Listën Serbe dhe ministrin Jabllanoviq, nuk ua solli Isa. Ata i gjeta në mesin tonë. I solli veriu i ndarë, i sollën votat e qytetarëve serb, i solli dialogu. Realiteti është se ata udhëheqin gati të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë dhe se kanë 10 deputet në Kuvend.

Disa nga ata që sot po flasin kundër tyre, garojshin për me i zëvendësuar vendet e garantuara me ato të rezervuara, dhe sot do të kishim së paku edhe 10 më shumë nga popullata joshumicë në Kuvend.

Ishte LDK dhe unë që mbajtëm parimin se janë konsumuar vendet e rezervuara dhe nuk lëshuam pe; të gjithë tjerët përpos VV- të cilën edhe nuk e pyesnin, bëjshin gara, si në ankand, se kush po jep më shumë.

Për korrektësi duhet të them se ThaçI ishte më i matur, sepse thoshte se ai e përkrahë zgjatjen e vendeve të rezervuara, pasi është në koalicion me minoritetet, por nuk garanton se do të votojnë të gjithë deputetët e tij dhe se kjo nuk mund të arrihet pa LDK-në, kurse Ramushi e Behxheti, nuk kishin kufi me zemërgjerësinë e tyre. Tani të mos flasin shumë, se nuk u ka hije, ose le ta thonë të vërtetën.