Mustafa: LDK do të votojë unanimisht pro FAK-ut

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa thotë se LDK nesër do të votojë unanimisht pro themelimit të FAK-ut por “pa vënë asnjë kusht dhe pa pranuar asnjë kusht”.

Lajme

04/05/2014 18:52

Ai kërkon nga Qeveria që të sigurojë edhe votat e pakicave, të nevojshme për themelimin e FAK-ut.

“Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të votojnë në uninamimet për Forcat e Armatosura, pa vënë asnjë kusht dhe pa pranuar asnjë kusht”.

“LDK dhe unë presim nga të gjitha forcat politike, të shumicës shqiptare dhe të pakicave, të reflektojnë mbi rëndësinë e posaçme që ka ky proces për ngritjen e kapacitetit institucional të atdheut tonë për të siguruar dhe mbrojtur vetveten dhe për t’i ofruar mbështetje stabilitetit rajonal, evropian e global, përmes integrimit sa më të shpejt të Forcave tona të Armatosura në NATO”.

“Në këtë proces, qeveria aktuale ka detyrim kushtetues dhe moral të japë kontributin e saj. Ajo duhet të sigurojë mbështetjen e deputetëve të koalicionit qeverisës, përfshirë edhe pakicat, për votimin e Forcave të Armatosura”.

Isa Mustafa thotë se partitë dhe udhëheqësit politikë shqiptarë janë treguar mjaft “gjeneroz” me pakicat, kur bëhet fjalë për vendet e rezervuara. Ai thotë se çdo kërkesë e minoritarëve që shkon përtej asaj që parashihet në Kushtetutë, do të “rrezikojë funksionimin e institucioneve”.

“Ju e dini se kohët e fundit ne kemi diskutuar edhe një kërkesë të politikanëve të pakicave për vazhdimin e vendeve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës. LDK dhe unë, bashkë me partitë dhe udhëheqësit tjerë të shumicës shqiptare, në vazhdimësi jemi treguar gjeneroz me pakicat dhe u kemi ofruar atyre ambient të përshtatshëm për integrim dhe pjesëmarrje në jetën institucionale të Kosovës”.

“Kosova ka dispozitat kushtetuese më të favorshme në rajon dhe Evropë për akomodimin e pakicave. Këtë, LDK dhe unë e konsiderojmë vlerë të demokracisë sonë dhe të parimeve tona kushtetuese”.

“LDK dhe unë jemi të bindur se çdo kërkesë përtej atyre që parashihen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, rrezikojnë funksionimin e institucioneve dhe kështu frenojnë zhvillimin e procesit të ngritjes së kapaciteteve konform standardeve të domosdoshme për integrimin e vendit tonë në strukturat euro-atlantike”.

Mustafa fton të gjithë partitë e tjera politike që të mbështesin shpërndarjen e menjëhershme të Kubvendit dhe të arrihet një datë koncensuale për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

“LDK dhe unë presim që partitë tjera politike të mbështesin shpërndarjen e menjëhershme të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe një datë konsensuale për mbajtjen e zgjedhjeve të parakoshme parlamentare. Ky proces do t’u mundësojë qytetarëve të rivendosin sovranitetin e tyre përmes deklarimit të vullnetit të tyre të lirë për mënyrën e qeverisjes së vendit në mandatin e ardhshëm”, ka shkruar në Facebook, kreu i LDK-së, Isa Mustafa.