Mustafa kundër shkuarjes në zgjedhje, pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje të jashtëzakonshme, dhe se Partia Demokratike e Kosovës duhet t’ia “dijë hallin vetes”.

Lajme

06/11/2014 08:34

Në profilin e tij në Facebook, edhe pse konsideron se “një vendim i Gjykatës Kushtetuese” po e mban peng konstituimin e Kuvendit, Mustafa ka pranuar se Blloku opozitar ka hequr dorë nga pozita e Kryeparlamentarit.

Ai për herë të parë që nga aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila i jep të drejtë vetëm partisë fituese të zgjedhjeve, PDK-së, të ketë pozitën e Kryeparlamentarit, ka thënë se do të respektohet edhe aktgjykimi, edhe Kushtetuta.     

“Kushtetuta do të respektohet, do të veprohet edhe sipas Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por një gjë është e qartë se Qeveria e këtij vendi zgjidhet me votat e shumicës së deputetëve dhe jo sipas renditjes të subjekteve politike nga zgjedhjet nacionale”.

Lexojeni të plotë postimin e kreut të LDK-së në profilin e tij në Facebook:

Në popullin tonë thuhet “dija hallin vetit”. Edhe PDK, që me koalicionin pesë-partiak ka vetëm 36 vota në Kuvendin e Kosovës prej 120 votave, vështirë dhe hiq se mundet në mënyrë rezolutive të përcaktojë se çfarë duhet të bëhet në Kosovë dhe se kur vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Në zgjedhje nëse u shkohet mund të shkojnë vetëm ata, sepse ky Kuvend ka shumicë parlamentare.

Kuvendi duhet të zhbllokohet nga mbajtja peng e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, duhet të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Qeverinë do ta zgjedhë ai grupim që ka shumicën e votave, që është i gatshëm të sigurojë zhvillim, përfshirje të komuniteteve, luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe partneritet evropian.

Kushtetuta do të respektohet, do të veprohet edhe sipas Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por një gjë është e qartë se Qeveria e këtij vendi zgjidhet me votat e shumicës së deputetëve dhe jo sipas renditjes të subjekteve politike nga zgjedhjet nacionale.