Mustafa kujton 10 qershorin: Kjo datë shënon dy ngjarje të rëndësishme

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka kujtuar 10 qershorin duke theksuar se kjo datë shënon dy ngjarje shumë të rëndësishme për popullin shqiptar dhe historinë e re të Kosovës.

Lajme

10/06/2016 18:56

“Më 10 qershor 1878 në Prizren, patriotët nga mbarë viset shqiptare krijuan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e cila bashkoi popullin shqiptar në luftën shumëshekullore për liri.

Një shekull më vonë, 10 qershori 1999 shënon nisjen e tërheqjes së trupave okupatore dhe fillimin e fundit të pushtimit të Serbisë mbi Kosovën”, shkruan Mustafa në Facebook.

Sipas tij, lëvizja gjithëpopullore paqësore, lufta heroike çlirimtare dhe ndërhyrja ushtarake e miqve tanë euroatlantikë, rezultoi me çlirimin e Kosovës dhe nisjen e epokës së krijimit të shtetit.

“Sot, Kosova është Republikë e pavarur, e njohur nga në shumë se gjysma e vendeve të botës, me procese të avancuara eurointegruese, pjesë e organizmave të shumta ndërkombëtare politike, ekonomike e sportive”, thotë ai ndër tjerash.

Mustafa vlerëson se qytetarët e Kosovës sot, janë më të vendosur se kurrë, që në partneritet me SHBA-të dhe vendet e BE-së, ta bëjnë Kosovën shtet të denjë të familjes evropiane, pjesë të NATO-s dhe të zhvilluar ekonomikisht./Lajmi.net