Mustafa: Kosova e përkushtuar në zbatimin e prioriteteve zhvillimore

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa, mori sot pjesë në Forumin e Diskutimit për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, organizuar nga zyra e UNDP-së në Kosovë.

Lajme

25/07/2017 18:53

Kryeministri Mustafa foli për 17 objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm të aprovuara në vitin 2015 në OKB, që shërbejnë si pikënisje nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga qeveritë ko​mbëtare për të nxitur prosperitetin edhe për 15 vitet e ardhshme.
Kryeministri përmendi përpjekjet e Kosovës për të integruar dhe për të zbatuar këto objektiva në politikat e saj.
“Edhe ne si Kosovë me 80 vende të tjera, jemi përfshirë në formësimin e objektivave të përbashkëta botërore për 10 deri në 5 vitet e ardhshme dhe është kjo hera parë që Kosova ka hyrë në këtë proces të rëndësishëm me përmasa globale, duke mbështetur dhe duke dizajnuar këto objektiva deri në vitin 2030.
Ne këtë e konsiderojmë si një agjendë dhe mundësi të rëndësishme për zhvillim të vendit tonë. Ne besojmë që përpjekjet për të arritur këtë agjendë ambicioze jo vetëm që do ta sjellin dhe mund ta sjellin Kosovën më afër Bashkimit Evropian, por gjithashtu është një mundësi shumë e rëndësishme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, për zhvillim të qëndrueshëm social, mjedisor të Kosovës në vitet e ardhshme”, tha kryeministri duke përmendur hapat e rëndësishëm për të integruar këtë agjendë dhe këto objektiva në sistemin e brendshëm të parashikimit ose planifikimit dhe të zbatimit.
Kryeministri tha se përmes kësaj agjende është adresuar eliminimi i varfërisë, paralelisht me një program dhe plan për rritje ekonomike në periudhën e ardhshme, i cili do të adresojë nevojat sociale të popullsisë, veçmas të arsimit, të shëndetësisë, çështjet e mbrojtjes sociale dhe para së gjithash problemin e papunësisë dhe problemin e punësimit.
“Nuk e kemi lënë anash për të trajtuar edhe ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit, sepse sidomos kjo e dyta është një problem që do ta ngarkojë edhe më tutje vendin tonë krahas masave, të cilat ne do t’i marrim për zhvillimin ekonomik”, tha kryeministri.
Sipas kryeministrit Mustafa, të gjitha këto janë reflektuar në disa dokumente strategjike, përfshirë Strategjinë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik të periudhës 2016-2021, Programin për Reforma Ekonomike dhe Agjendën Evropiane të Reformave.
“Në janar të vitit 2016 ne kemi miratuar Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, që paraqet prioritetet më të lartë të vendit tonë në zhvillimin ekonomik, që janë të orientuar në Agjendën Zhvillimore drejt integrimit evropian në të gjitha fushat. Ne kemi përzgjedhur prioritete dhe masat në këtë Strategji, jemi përcaktuar që është e nevojshme të ndërmarrim masa për të siguruar një normë më të lartë të rritjes ekonomike, e cila do të përballoj fluksin vjetor të papunësisë që hyn në tregun e punës, dhe po ashtu do të zgjidh në mënyrë afatgjate problemin e papunësisë, pastaj nevojën për rritje ekonomike e cila siguron kohezionin social dhe siguron gjithëpërfshirje.
Me Bashkimin Evropian, përkatësisht me Komisionin Evropian, ne jemi dakorduar për një Agjendë të Reformave Evropiane, e cila është e drejtuar në tri fusha themelore:
– Në qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit, përkatësisht në shtetin e së drejtës;
– Në konkurrueshmërinë dhe përmirësimin e klimës për investime, që ndërlidhet drejtpërdrejt edhe me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit; dhe
– Në ndërlidhjen e arsimit dhe të punësimit, që do të thotë në funksionimin e tregut të punës, në çka kemi vërejtje mjaft të mëdha sepse kemi një disproporcion në mes të asaj se çfarë ne krijojmë përmes sistemit të arsimit, dhe asaj se çfarë pritet ose çfarë mund të pritet si kërkesë të tregut të punës, karshi nevojave të ekonomisë.
Përmes këtyre dy dokumenteve strategjike, ne kemi siguruar një ndërlidhje të Treguesve të Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm, me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, në veçanti, këtu kemi përfshirë edhe Udhërrëfyesin për Përfshirjen e Strategjisë Kombëtare në të cilën kemi identifikuar 14 objektiva sipas ekspertëve tanë, dhe po ashtu 34 masa strategjike, të cilat përfshijnë treguesit përkatës për çdo njërin prej objektivave që ne i kemi përcaktuar”, tha kryeministri Mustafa.
Kryeministri ka bërë të ditur se zbatimi i Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit,  po bëhet përmes strategjive sektoriale, duke përmendur edhe sistemin e monitorimit që është vendosur, e që  fokusohet në tregues të rezultatit.
“Unë jam i bindur se e gjithë kjo do të rezultojë pozitivisht dhe ne do të përafrohemi me objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, të cilat nuk janë objektiva vetëm tonat apo të regjionit që ne i përkasim, por janë objektiva globale në të cilat ne synojmë t’i realizojmë.
Unë dëshiroj që të theksoj  sot këtu para jush se Kosova është e përkushtuar dhe do të jetë e përkushtuar të bëjë zbatimin e prioriteteve zhvillimore, të adresojë të gjitha sfidat e përbashkëta globale me të cilat ne do të ballafaqohemi në të ardhmen, dhe të jemi pjesë e agjendës së përbashkët zhvillimore.
Gjithashtu, përmes kësaj ne synojmë të ndërlidhemi ose të ndërlidhen prioritetet tona me këto objektiva, në mënyrë që në formë të drejtpërdrejt të bëhemi pjesë e përpjekjeve globale për Zhvillim të Qëndrueshëm”, tha kryeministri.
Koordinatori për zhvillim i Kombeve të Bashkuara, njëherësh përfaqësues i përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Andrew Russell, tha se objektivat prekin një numër të çështjeve që janë të rëndësishme për Kosovën, përfshirë punësimin, qasjen në kujdesin shëndetësor, krijimin e një të ardhme më të mirë për fëmijët dhe të rinjtë dhe rëndësinë e objektivit të krijimit të barazisë së vërtetë gjinore dhe përfshirjes së grave.
“Qëllimi i takimit të sotëm është të konsultohemi me ju, komunitetin ndërkombëtar, të ndajmë me ju përkushtimin e Kosovës për arritjen e këtyre objektivave, dhe të shohim në veçanti si këto objektiva lidhen me procesin e integrimit evropian, kërkesat kryesore, acquis communautaire, kërkesat për raportim që Kosova tashmë ka obligim që të bëjë, dhe se si objektivat dhe treguesit pas objektivave, mund të krijojnë një momentum, mund të krijojnë të dhëna, që do të mund të dëshmojnë gjithë punën që po bënë Kosova në arritjen e objektivave të veta zhvillimore”, tha ai.
Drejtori i Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope,  po ashtu përmendi rëndësinë e takimeve të tilla koordinuese, që sipas tij, përveç që japin një perspektivë ndryshe, janë të rëndësishme për të parë se çfarë është duke u bërë mirë, çfarë duhet të punohet më shumë, dhe se si mund të bashkëpunojnë agjencitë dhe Qeveria me njëra-tjetrën.
“Është një zotim i yni i përbashkët për të arritur nga tash deri më 2030 objektiva shumë ambicioze, por ne duhet të jemi ambicioz, duhet të synojmë shumë sepse vetëm atëherë me partnerin që e kemi do të arrijmë të realizojmë objektivat dhe kjo duhet të ndodh në Kosovë për njerëzit e Kosovës. Dhe këto objektiva mund të jenë baza, korniza për një partneritet të tillë”, tha ai.
Shefi i sektorit të Seksionit të Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë,  Luigi Brusa, ka theksuar se treguesit e vendosur për Zhvillim të Qëndrueshëm janë shumë të rëndësishëm në matjen e asaj që Zyra e BE-së po bën në Kosovë. Si shembull, ai përmendi punën që po bëhet në rritjen e cilësisë së ajrit, por edhe vëmendjen që po i kushtohet edukimit.
“Edukimi është çështje e rëndësishme, dhe duam të punojmë me qeverinë e ardhshme në dy projektet e ardhshme, IPA17; IPA 18 dhe me gjasa edhe në IPA 19, pasi që edukimi do të jetë njëri nga komponentët kryesore të bashkëpunimit tonë, për të mbështetur zhvillimin ekonomik”, tha ai.