Mustafa: Ka kaluar koha e tradhtarëve, të besojmë në njëri-tjetrin

I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa, në Konventën e partisë së tij ka folur edhe për Asociacionin e Komunave Serbe. Ai ka deklaruar se themelimi i AKS-së do të bëhet në harmoni të plotë më vendimin e Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen që është arritur në Bruksel, duke bërë thirrje për bashkëpunim ndërpartiak, derisa iu përgjigj akuzave të opozitës duke thënë se “ka kaluar koha e tradhtarëve”.

Lajme

28/05/2016 16:25

Duke përmendur punën e LDK-së ndër vite si parti qeverisëse, koalicionin e dikurshëm me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës atë të tanishëm me Partinë Demokratike të Kosovës, Mustafa foli edhe për disa nga sfidat me të cilat përballet tani LDK-ja si pjesë e koalicionit qeverisës.

“Kur qeverisë vendin ke shumë kërkesa, kritika, sulme të llojllojshme dhe të gjithë ata që janë mësuar ta shohin dhe interpretojnë LDK-në vetëm si një filozofi politike, si parti që mbajti frymën e gjallërisë liridashëse mbi një decenie, mund ta kenë të vështirë ta shohin LDK-në si parti e cila përballet me problemet ditore”, është shprehur Mustafa.

Ai ka shtuar se çdo përballje ka përkrahësit dhe kritikuesit, ashtu si çdo ballafaqim politik kërkon guxim, përkushtim, prandaj  ka vlerësuar se edhe LDK-ja duhet ta ketë guximin dhe kurajën që të ballafaqohet me problemet.

“Ne kemi shumë probleme për t’u ballafaquar dhe sfiduar me to. Janë sfidat e zhvillimit ekonomik, papunësia e lartë, niveli akoma më i lartë i varfërisë, implementimi i ekonomisë sociale të tregut. Duhet të ballafaqohemi me krimin e organizuar, korrupsionin, veçmas me perceptimin për nivelin e lartë të korrupsionit”, tha ai.

Mustafa shtoi se në këtë mandat të qeverisjes ishe përgjegjësi që të merren vendime të rënda, por gjithsesi të rëndësishme për vendin, duke potencuar dialogun me Serbinë dhe themelimin e Gjykatës Speciale.

Duke theksuar se themelimi Asociacionit të Komunave Serbe është obligim, Mustafa tha gjithashtu se sfidë është edhe bindja e komuniteteve për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri të vendit.

“Para vetes e kemi procesin e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe, sepse me ligj për ratifikim të marrëveshjes së parë ndërkombëtare kemi marrë për obligim ta themelojmë këtë Asociacion. Asociacioni do të themelohet në harmoni të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Me fqinjët, Malin e Zi dhe Serbinë do të përmbyllim demarkacionin e kufirit që është një sfidë po ashtu mjaftë e madhe dhe një punë e ndjeshme dhe shumë e mundimshme. Po sfidohemi edhe me atë se duhet t’i bindim një pjesë të komuniteteve për votimin e Forcat e armatosura të Kosovës. Transformimi i FSK-së në FAK nuk cenon të drejtat dhe sigurinë e asnjë qytetari dhe të asnjë komuniteti, por është faktor shtesë i paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë”, tha ai.

Ai tha se Kosova duhet të vendosë edhe për marrëveshjen me të cilën do të definohet statusi i EULEX-it dhe mandatin në vitet e ardhshme, duke shtuar se është e qartë se kërkesa për forcimin e shtetit ligjor nuk është vetëm e komunitetit ndërkombëtar, por është nevojë edhe e Kosovës.

Ndër disa elemente që në bazë të cilave duhet të ndërtohet shteti, Mustafa theksoi edhe bashkëpunimin mes partive të pozitës dhe të opozitës.

“Në ballafaqimin tonë me këto sfida dhe me shumë sfida të tjera duhet ta kemi parasysh se shtetin do ta ndërtojmë duke thelluar besimin më njëri–tjetrin, duke përkrahur njëri–tjetrin, duke krijuar ura të bashkëpunimit edhe partitë të pozitës dhe të opozitës, me shoqërinë civile.

Pra, përmes një qasje konstruktive dhe pozitive. Ka kaluar periudha e prodhimit dhe shënimit të armiqve, tradhtarëve. Ajo periudhë nuk i ka sjell asgjë të mirë asnjërit prej nesh dhe as familjeve tona. Kriminelët dhe tradhtarët nuk duhet të jenë pjesë e fjalorit tonë. Me ta dhe ata që i cilësojnë si të tillë duhet të merren organet e drejtësisë, ata që e kanë mandatin të mbajnë drejtësi”, tha ai.

Mustafa, gjithashtu deklaroi se synimet janë që këtë vit Kosova të bëhet anëtare e Interpolit, në vitin e ardhshëm të anëtarësohet në UNECO, të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe të hapet rruga që shteti të bëhet anëtar e Kombeve të Bashkuara. /KosovaPress

Mustafa në facebook:

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është shprehur i kënaqur me Konventën e partisë së tij, të cilën e ka cilësuar si të suksesshme.

Kryeministri i Kosovës po ashtu ka theksuar unanimitetin e anëtarëve të LDK-së, duke thënë se pesë vota kundër nuk janë asgjë në krahasim me numrin e anëtarëve prej 365, transmeton lajmi.net

“Vendime me përkrahje unanime. E padrejtë është që fokusimi të jetë në më së shumti pesë njerëz që votojnë kundër. Nuk mashtrohet as opinioni e aq më pak LDK-ja. Pesë vota kundër flet për demokraci te ne, por për Kuvendin e LDK-së prej 365 anëtarëve është as 1.5%”, ka deklaruar Mustafa.

Ndërkaq, duke aluduar në Donika Gërvallajn dhe Shefqet Dibranin, Mustafa ka thënë se ata që fitojnë në degën e Gjermanisë dhe Zvicrës, do të lejohen të marrin pjesë në organet e larta të partisë.

“Një Konventë e suksesshme e LDK-së. Ata që fitojnë në zgjedhje në degën në Gjermani dhe Zvicër do të kenë legjitimitetin të marrin pjesë në organet e larta të LDK-së. Falënderoj anëtarësinë për përkushtimin e tyre. Më shumë flasin fotot në vijim”, është shprehur Mustafa. /lajmi.net

LDK 2 LDK 1 LDK