Mustafa i përgjigjet Klosit: SHIK-u shqiptar përçau UÇK-në

Kryeministri i Kosovës, njëherit kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj deklarimeve të bëra nga ish shefi i SHIK-ut të Shqipërisë, Fatos Klosi, lidhur me rolin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova në historinë e fundit të vendit.

Lajme

25/04/2015 10:07

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka akuzuar Klosin, i cili, gjatë një intervistë për një medium kosovar ka thënë se “politika e Rugovës nuk do ta çlironte asnjëherë Kosovën”.

Lidhur me këtë, Mustafa ka thënë se shprehë keqardhje që “një gojë e keqe e një kryespiuni, spërkatet figura e Ibrahim Rugovës”.

Kreu i LDK-së ka vlerësuar se shërbimi inteligjent i Shqipërisë, më shumë i ka shërbyer regjimeve të Serbisë dhe përçarjes së lëvizjes për çlirim të Kosovës.

Lexojeni të plotë postimin e Isa Mustafës në Facebook:

“Kosova u çlirua, sepse pati në krye një burrështetas të urtë e të mençur, të respektuar brenda e jashtë vendit, Presidentin Ibrahim Rugova. Kosova nuk do të çlirohej kurrën e kurrës po të varej nga shërbimet informative, siç ishte edhe SHIK-u shqiptar, sepse shërbime të tilla me sjelljen e tyre më shumë u kanë shërbyer regjimeve dhe Serbisë, vëllavrasjes e hasmërive të brendshme, sesa pavarësisë së Kosovës dhe interesave kombëtare. Pa infiltrim dhe përzierje të SHIK-ut, UÇK do të ishte më unike dhe lufta do të ishte më e organizuar.

Sot na vjen keq kur shohim se nga një gojë e keqe e një kryespiuni, spërkatet figura e Ibrahim Rugovës. Një fjalë popullore thotë: arni për thesin. Spiunët arnohen me të tyret, por nuk arnohen me figurën e Ibrahim Rugovës”, (sic), ka shkruar Mustafa.