Mustafa hedh poshtë thirrjet e analistëve, s’heq dorë nga pozita e kryeparlamentarit

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar se zgjidhjen për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe zgjedhjen e Qeverisë nuk mund ta ofrojnë e as ta bëjnë pazarxhinjtë dhe ofenduesit, qoftë nga Prishtina e më së paku nga Tirana.

Lajme

16/10/2014 11:28

Kështu, Mustafa ka hedhur poshtë thirrjet e disa analistëve për mundësinë që “blloku” të heq  dorë nga pozita e kryeparlamentarit, që koalicioni paszgjedhor (LDK-AAK-Nisma), ia kishte premtuar kur ishte nënshkruar marrëveshja, që përfshinte edhe ndarjen e posteve.   

Lideri i LDK-së vazhdon të këmbëngulë për pozitën e kryetartit të Kuvendit, përkundër aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kjo pozitë i takon partisë fituese të zgjedhjeve, Partisë Demokratike të Kosovës.

Lexojeni reagimin e plotë të Mustafës të postuar në profilin e tij në Facebook:

Zgjidhjen për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe zgjedhjen e Qeverisë nuk mund ta ofrojnë e as ta bëjnë pazargjijtë dhe ofenduesit, qoftë nga Prishtina e më së paku nga Tirana.

Ne po sfidohemi me një situatë të re pas zgjedhjeve nacionale, si rezultat i specifikave kushtetuese por edhe të interpretimit kushtetues të koalicionit paszgjedhor dhe të shumicës parlamentare në Kuvend, që nuk përputhet me praktikat kushtetuese të vendeve tjera me sistem parlamentar. Të gjithë ne bartim përgjegjësinë para votuesve tanë, para subjekteve tona politike dhe para qytetarëve tanë.

Thjeshtësimi i problemit në atë se kush duhet lëshuar pe e kush jo, kush është më i fortë e kush më i butë, kush është negociator më i madh e kush më i vogël, kush është në gjendje të qeverisë e kush jo, kujt duhet siguruar vend pune etj., pa u lëshuar në kontekstin bazik të nevojës për të bërë ndryshime në qeverisje në Kosovë, është mendjelehtësi e llojit të vet. Është edhe qasje qëllimkeqe.

Ne po punojmë çdo ditë për të dalë nga kjo situatë dhe për të krijuar një rrugëdalje afatgjate, sepse në kushtet kur nga 120 vende në Kuvend, njëzetë prej tyre janë të garantuara për komunitetet joshumicë, asnjë parti shqiptare nuk do të mund të formojë qeverinë pa koalicion paszgjedhor. Në realitet as deri më tani askush në Kosovë nuk ka arritur ta formojë qeverinë me koalicion parazgjedhor, as ne të LDK-së që në kohë të caktuara kemi pasur rreth 50 deputetë.

Zgjidhja e qëndrueshme duhet të jetë isntitucionale, e bazuar në praktikat demokratike evropiane, të vendeve që kanë përvojë të sistemit parlamentar dhe në respektimin e shumicës parlamentare. Këtu lypset mbështetja pozitive dhe parimore e institucioneve të pavarura dhe e gjithë atyre që nuk ofrojnë pazare e ofendime të ulëta, por që ia duan njëjtë të mirën çdo qytetari dhe çdo subjekti politik në Kosovë.