Mustafa: Hapja e temës së ndryshimit të kufijve është e rrezikshme

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është takuar sot me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Lajme

20/09/2018 18:53

Mustafa ka njoftuar se presidentit Meta i ka prezantuar pikëpamjet e LDK-së se dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë forma e vetme e normalizimit të raporteve, “por se dialogu duhet të vazhdojë me institucione që kanë legjitimitet të konfirmuar nga zgjedhjet e parakohshme dhe të lira”.

“Po ashtu, i rikonfimova Presidentit Meta pozicionin e paluhatshëm të LDK-së se hapja e temës së ndryshimit të kufijve është e papranueshme dhe e rrezikshme, sepse kjo e rihapë temën e mbyllur me deklarimin e Pavarësisë dhe se diskutimi i kufijve është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Isa Mustafa në profilin e tij në “Facebook”.

Këtë qëndrim rreth nismës së presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim të kufijve”, kreu i LDK-së ua ka prezantuar dje e pardje edhe ambasadorëve të Francës, Italisë e Norvegjisë.