Mustafa: Gjykata Kushtetuese me punën e saj, konsolidoi shtetndërtimin e Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë solemne të vitit të 7-të gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Lajme

26/10/2016 19:18

Kryeministri Mustafa, para të pranishmëve të shumtë, përfaqësues të institucioneve shtetërore, ambasadorë, gjyqtarë vendorë dhe ndërkombëtarë, vlerësoi punën e Gjykatës Kushtetuese gjatë këtyre viteve, duke thënë se është bërë një punë tepër e rëndësishme në mbrojtjen dhe forcimin e shtetit të Kosovës, që si rrjedhojë ka ndihmuar në mënyrë të vazhdueshme dhe drejtpërsëdrejti në forcimin e demokracisë dhe rritjen e efikasitetit shtetndërtues të vendit tonë.


” Si kryeministër vlerësoj lartë punën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës gjatë këtyre viteve, sepse ka qenë një punë dhe një rol kapital në zhvillimin dhe demokratizimin e institucioneve tona, në ngritjen e sundimit të ligjit, në konsolidimin e rendit juridik, si dhe në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. Mund të konstatohet gjithashtu se Gjykata Kushtetuese ka bërë këto vite një punë tepër të rëndësishme në mbrojtjen dhe forcimin e shtetit të Kosovës, pastaj si rrjedhojë edhe ka ndihmuar në mënyrë të vazhdueshme dhe drejtpërsëdrejti në forcimin e demokracisë dhe rritjen e efikasitetit shtetndërtues të vendit tonë”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa ka përshëndetur përpjekjen e vazhdueshme të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila, duke qenë autoriteti përfundimtar në interpretimin e Kushtetutës së Kosovës, ka mbrojtur dhe ka afirmuar vlerat juridike dhe parimin demokratik se ‘askush nuk është mbi ligjin’, duke theksuar po ashtu se mbrojtja e këtij parimi është detyrë e të gjithëve dhe respektimi i këtij parimi po ashtu është detyrë e të gjithëve.


“Me punën e saj të vazhdueshme Gjykata Kushtetuese është përpjekur jo vetëm t’i afirmoj parimet bazë të së drejtës kushtetuese, por edhe t’i përdor këto parime për të vlerësuar pajtueshmërinë ose jo pajtueshmërinë e akteve që kanë marrë shqyrtim me dispozitat kushtetuese. Mbrojtja e këtyre parimeve gjithmonë ka qenë e rëndësishme për ne, dhe të gjithë ne i kemi pranuar dhe i kemi zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Këto vendime kanë pasur ndikim edhe në vendimet politike të organeve të pushtetit shtetëror, gjë që e ka bërë Gjykatën Kushtetuese shumë të rëndësishme’, tha Mustafa.

Sipas tij, sa më shumë që Gjykata Kushtetuese i ka sqaruar këto vendime, ka kontribuar që ato të jenë në përputhshmëri me dispozitat kushtetuese, dhe ka lehtësuar punën tonë dhe punën e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ka konsoliduar shtetndërtimin e vendit tonë. 

‘Në forma të ndryshme kjo Gjykatë ka bërë punë shumë të madhe edhe në sensibilizimin e opinionit publik për domosdoshmërinë e sundimit të ligjit, një detyrë e cila kërkon angazhimin e të gjithë akterëve të shoqërisë tonë. Për këtë, lypset edhe më tutje të kontribuojmë të gjithë ne, edhe institucionet e vendit, edhe institucionet e pavarura, edhe mediat, edhe organizatat joqeveritare, në mënyrë që sundimi i ligjit në vendin tonë të bëhet çështje e të gjithë neve”, tha kryeministri Mustafa, duke uruar Gjykatën Kushtetuese për punën 7 vjeçare.