Mustafa edhe në urimin për Ramazan fajëson partitë për rrëzimin e Qeverisë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa e ka shfrytëzuar rrjetin social facebook për të uruar muajin e Ramazanit.

Lajme

26/05/2017 19:14

Edhe në këtë urim, ai ka hedhur fajin te partitë e tjera që e rrëzuan Qeverinë dhe e dërguan vendin në zgjedhje gjatë kësaj periudhe, transmeton lajmi.net

“Ne u përpoqëm të shmangnim fushatën parazgjedhore gjatë Muajit të Ramazanit. Ju kërkojmë ndjesë që nuk arritëm t’i bindnim edhe oponentët tanë politikë për ta respektuar traditën unike që Muaji i Ramazanit ka kultivuar tek familjet tona dhe në shoqërinë tonë”, ka shkruar Mustafa.

Lexo postimin e plotë:

Të dashur miq,

Dua të ndajë me Ju urimin tonë të përbashkët për të gjithë besimtarët myslimanë në Kosovë, me rastin e fillimit të Muajit të Ramazanit.

Ky muaj, për të gjithë besimtarët myslimanë është simbol i sakrificës, i paqes dhe i përkushtimit ndaj Zotit dhe ndaj njëri-tjetrit.

Ne u përpoqëm të shmangnim fushatën parazgjedhore gjatë Muajit të Ramazanit. Ju kërkojmë ndjesë që nuk arritëm t’i bindnim edhe oponentët tanë politikë për ta respektuar traditën unike që Muaji i Ramazanit ka kultivuar tek familjet tona dhe në shoqërinë tonë.

Ne do të mundohemi maksimalisht që gjatë ditëve në vijim, të përçojmë tek të gjithë mesazhet dhe kuptimin e Muajit të Ramazanit dhe traditës sonë të tolerancës e mirëkuptimit.

Ju uroj një agjërim të lehtë, harmoni dhe begati për të gjitha familjet tona.