Mustafa e përdorë asetin kryesor të shtetit për të bërë fushatë për LDK

Kryeministri i Kosovës në largim, Isa Mustafa, në ditën kur ka marrë në dorë një studim fizibiliteti për kombinatin ‘Trepça’, ka porositur votuesit që t’i besojnë koalicionit të grumbulluar rreth LDK-së për ringjalljen e këtij gjiganti të dikurshëm industrial të vendit.

Lajme

26/05/2017 23:27

Mustafa përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Qeveria aktuale, me punë e përkushtim maksimal, e shpëtoi nga falimentimi dhe e vuri Trepçën në binarët e zhvillimit”.

Postimi i plotë i Mustafës:

Të dashur miq,

Pranova sot studimin e fizibilitetit me orientime strategjike për zhvillimin e Trepçës.

Ky studimi ka nxjerr në pah rezultate shumë të rëndësishme pozitive dhe ofron perspektivë të jashtëzakonshme për zhvillimin e këtij gjiganti ekonomik të Kosovës.

Qeveria aktuale, me punë e përkushtim maksimal, e shpëtoi nga falimentimi dhe e vuri Trepçën në binarët e zhvillimit.

Koalicioni LDK-AKR do të bëjë që Trepça të jetë sërish krenaria dhe motori i zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Prandaj, në këto zgjedhje nuk guxojmë që asetet e Kosovës t’i lemë në dorë të amatorëve dhe keqpërdoruesve të dëshmuar. IM