Mustafa do të sfidohet me ndryshimin e himnit dhe flamurit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po pretendon se gjatë mandatit të saj qeverisës do të arrijë t’i ndryshojë simbolet shtetërore.

Lajme

27/12/2014 08:59

Flamuri i ‘Dardanisë’ dhe himni ‘Kur ka ra Kushtrimi n’Kosovë’ pritet t’i zëvendësojnë simbolet aktuale. Ky ishte premtim i vetë liderit të kësaj partie Isa Mustafa

“Vlerësojmë qind për qind se do të vijmë në pushtet dhe atëherë ne do të zhvillojmë procedura qind për qind demokratike, në mënyrë që flamuri i ardhshëm i Kosovës të jetë flamuri i Dardanisë dhe himni i ardhshëm të jetë himni i Ibrahim Rugovës, por jo me procedura jodemokratike. Nëse pajtohen të gjithë qytetarët e Kosovës, natyrisht kjo kërkon edhe pajtimin e minoriteteve, edhe pëlqimin e faktorëve që na kanë ndihmuar, ne do ta bëjmë me një procedurë të rregullt demokratike. Synimi ynë është se Kosova i meriton ato simbole dhe ato të jenë simbole të Republikës së Kosovës”, ka thënë Mustafa.

E ky premtim pretendohet të jetësohet. Të paktën kështu zotohet nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova. Sipas tij, çdo premtim i dhënë do të realizohet. “Ata që nuk iu përmbahet premtimeve, bien. Kjo është rregull. Ne tani i kemi proceset e brendshme partiake dhe do t’i diskutojmë këto çështje”, ka thënë Rugova.

Megjithatë, sipas tij, ende është herët të flitet për këto tema. “Ne tash veç sa ja kemi nis punës. Ne i kemi dhënë premtimet dhe ne do të vazhdojmë me ato premtime, por është ende herët të flitet për këtë çështje”, ka thënë Rugova.

Mirëpo, ndryshimi i simboleve shtetërore po vlerësohet i pamundshëm nga njohës të çështjeve politike dhe juridike. Sipas tyre, Isa Mustafa nuk e ka mbështetjen e duhur për t’i bërë ndryshimet e nevojshme për ndryshimin e simboleve./Tribuna/