Mustafa: Dërgimi i Asociacionit në Kushtetuese parashihej me Marrëveshjen e Brukselit

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa tha të enjten se sa i përket adresimit të presidentes Atifete Jahjaga ndaj Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është një çështje e cila ka qenë e paraparë edhe me marrëveshjen që e kanë nënshkruar ne në Bruksel, sepse Gjykata është dashur ta jap mendimin lidhur me këtë marrëveshje.

Lajme

12/11/2015 14:11

Ai në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se nuk e konsideron se marrëveshja është suspenduar, por se ka shkuar në Kushtetuese në mënyrë që të vërtetohet se çdo pikë e kësaj marrëveshje është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Sa i përket adresimit të presidentes ndaj Gjykatës Kushtetuese lidhur me asociacionin e komunave me shumicë serbe, është një çështje e cila ka qenë e paraparë edhe me marrëveshjen që e kemi nënshkruar ne në Bruksel, sepse Gjykata është dashur ta jap mendimin lidhur me këtë marrëveshje. Unë nuk e konsideroj se marrëveshja është suspenduar, ose se është vu në dyshim marrëveshja. Konsideroj se marrëveshja ka shkuar në Kushtetuese në mënyrë që të vërtetohet se çdo pikë e kësaj marrëveshje është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, është ajo që edhe ne do ta bënim si Qeveri, sepse kemi qenë të detyruar ta bëjmë dhe kjo në asnjë rast nuk e bie në pikëpyetje dialogun tonë që duhet ta zhvillojmë, ose normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, u shpreh kryeministri.

Ai po ashtu tha se edhe përkundër asaj që ne nuk arritën të anëtarësohen në UNESCO për tre vota, kanë arritur të kenë përkrahjen e pjesës dërrmuese të anëtarëve të UNESCO-s.

“Anëtarësimi jonë në UNESCO nuk e dëmton askënd, ai është në dobi të kulturës dhe trashëgimisë kulturore të të gjithëve, është në dobi të arsimit dhe bashkëpunimit arsimor me të gjitha vendet e botës dhe është në dobi të bashkëpunimit shkencor me të gjitha vendet e botës sepse as Kosova dhe asnjë vend, nuk meriton të përjashtohet nga pjesëmarrja e saj në këto procese, sepse janë procese të cilat cilësojnë zhvillimin bashkëkohor të shoqërisë”, tha kryeministri, shkruan telegrafi

“…ngjarjet që kanë ndodhur me UNESCO-n do të kërkojnë që ne të kërkojmë që të gjithë të jemi përgjegjës për normalizim të marrëdhënieve, sepse nuk është normalizim i marrëdhënieve nëse ne dëshirojmë të ecim në një rrugë, ndërkaq e pengojmë tjetrin të ecë në rrugën tjetër. Është zëvendëskryeministri këtu, që ka qenë kryeministër atëherë dhe ne me marrëveshjen e parë për normalizim, në pikën e fundit, jemi zotuar të dyja palët se nuk do ta pengojmë njëra-tjetrën sa i përket ecjes përpara tek anëtarësimet në organizatat e ndryshme, sepse është në dobi të të dy vendeve”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa.