Mustafa: As Thaçi dhe as këndesat e tij s’kanë të drejtë ta keqpërdorin emrin e Rugovës

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një postim të orëve të vona në Facebook, thotë se e kanë gabim dhe me prapavijë të keqe ata që tentojnë të manipulojnë me intervistat dhe deklaratat e Presidentit Rugova të para 25 vjetëve.

Lajme

26/08/2018 00:02

Kjo deklaratë e Mustafës vije pasi që presidenti Thaçi citoi një pjesë të intervistës së Ibrahim Rugovës në vitin 1994 ku ai fliste për shkëmbim të territorit me Serbinë.

“Rugova ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm historik në pavarësimin e Kosovës, ka shtruar ide dhe koncepte në periudha të ndjeshme kohore, jo vetëm për Kosovën por edhe për të ardhmen e shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Ndërkaq, Kosova ka përmbyllur të gjitha çështjet e hapura me aktin e shpalljes së pavarësisë duke vulosur kontributin e Presidentit Rugova, të UÇK-së dhe aleatëve tanë ndërkombëtar. Askush nuk ka të drejtë ta keqpërdorë emrin e Presidentit Ibrahim Rugova për të vënë në pyetje integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, as Presidenti Thaçi dhe as këndesat e tij.IM”, shkruan në fund Mustafa. /Lajmi.net/