Muslimanët amerikanë protestë në New York kundër Mianmarit

"Ndaleni gjenocidin", "Nuk e duam luftën tuaj të përgjakshme", ishin disa nga sloganet e protestuesve, të cilët bënë lutje për muslimanët e persektuar në Arakan

Bota

12/09/2017 09:55

 Muslimanët amerikanë u tubuan para përfaqësisë së përhershme të Mianmarit në Kombet e Bashkuara për të protestuar kundër masakrave ndaj muslimanëve në Arakan, raporton Anadolu Agency (AA).

Adem Caroll, përgjegjës i programeve të OKB-së pranë organizatës Task Forca për Mianmarin në fjalën e tij kritikoi qeverinë e Mianmarit dhe i bëri thirrje muslimanët për të ndërmarrë aksion.

“Gjendja në Arakan po përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Me lejen e Zotit, ne mund të bëjmë ndonjë plan aksional, e jo të mbetemi vetëm me shprehjen e zemërimit tonë”, theksoi Caroll.

“Turp për Mianmarin. Qeveria e Mianmarit fshihet prapa Kinës në OKB. I vë veto rezolutave që nuk i do”, tha Caroll, duke e theksuar pasivitetin e OKB-së në këtë çështje.

“Ndaleni gjenocidin”, “Nuk e duam luftën tuaj të përgjakshme”, ishin disa nga sloganet e protestuesve, të cilët bënë lutje për muslimanët e persektuar në Arakan.

Një numër i madh i muslimanëve të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur.

Gjatë sulmeve të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë shënjestruar mbi 150 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh.

Më shumë se 300 mijë muslimanë të Arakanit kanë arritur në Bangladesh që nga 25 gushti.

Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare. Organizatat e shoqërisë civile në Arakan bëjnë të ditur se numri i civilëve që kanë humbur jetën ka kaluar mbi një mijë, ndërsa disa të tjera pohojnë se bilanci është disa mijëra.