Mushkolaj pas ndalesës që Serbia ia bëri Pacollit: Përgjegjësinë e mban Kosova

Autoritetet serbe refuzuan t'i japin leje ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, që të qëndrojë në rajonin e Sanxhakut ne Serbinë jugperëndimore, që është zona e banuar me shumicë të komunitetit boshnjak.

Lajme

21/07/2018 18:55

Ministri Pacolli ishte ftuar nga Këshilli Kombëtar i Boshnjakëve për të qëndruar më 21 dhe 22 korrik në Novi Pazar, për të marrë pjesë në një konferencë të këtij këshilli.

Autoritetet e Serbisë refuzuan të japin leje, në një veprim që ministria e Jashtme e Kosovës e cilësoi si shkelje të marrëveshjes së Brukselit dhe cenim të lëvizjes së lirë.

Analisti i njohur politik, Imer Mushkolaj lidhur me këtë ndalesë, në një prononcim për lajmi.net, shtron pyetje: Pyetja themelore që duhet bërë është: cili është rezultati i dialogut të deritashëm me Serbinë?

“Për çfarë paskemi diskutuar me Beogradin gjithë këta vjet, kur nuk e lejon një vizitë të tillë, ndërkohe që Kosova ka lejuar madje edhe vizitën e presidentit serb?”, pyet ai.

Ai sërish shtron pyetje: A mund të shkojë për vizitë në Serbi, Hashim Thaçi?

Ndërkaq lidhur me paralajmërimin e Pacollit se do të vendoset reciprocitet në vizitat e zyrtarëve shtatore serb, Mushkolaj thotë se reciprociteti, jo vetëm në këtë rast, është dashur të vendoset me kohë.

“Përgjegjësinë e mban Kosova që ka bërë lëshime të papranueshme, në emër të vullnetit politik, e që tash po keqpërdorën nga Serbia”, thotë Mushkolaj. /Lajmi.net/