Mushkolaj: Pak bastione që kanë mbetur, në këto zgjedhje rrezikojnë të shemben

“Edhe ato pak bastione sa kanë mbetur rrezikojnë seriozisht të shemben më në fund”, kështu po deklaron analisti politik, Imer Mushkolaj.

Lajme

20/10/2017 14:58

Ai në një deklaratë për lajmi.net ka vlerësuar se garë e ashpër pritet të zhvillohet në qytetet e mëdha.

Sipas tij PDK-ja është e fokusuar në Mitrovicë e Prizren, kurse LDK-ja po synon që t’i bmajë komunat që i ka.

“Garë e ashpër do të jetë thuajse në të gjitha komunat. Natyrisht, më së nxehti pritet të jetë në Prishtinë dhe në qytete të tjera të mëdha, si Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjakovë, Gjilan e Ferizaj. PDK është e fokusuar në Prizren e Mitrovicë dhe do të provojë t’i fitojë këto dy komuna, LDK synon t’i mbajë komunat që i ka, por e ka të vështirë”, tha Mushkolaj.

Mushkolaj po vlerëson se Vetëvendosja është konkurrente të fitojë edhe komuna tjera veç Prishtinës, kurse AAK-ja ta rikthejë Pejën dhe Gjakovën.

“VV të mbajë Prishtinën dhe të fitojë të tjera, ku është konkurrente serioze, ndërkaq AAK të kthejë Pejën e Gjakovën”, shtoi analisti politik.

Ai e ka komentuar edhe fushatën elektorale, ku theksoi se ka qenë më racionale.

Sipas tij partitë dhe kandidatët nuk kanë dhënë premtime të mëdha, pasi qytetarët nuk po iu besojnë.

“Fushata është karakterizuar me premtime më racionale, jo pse partitë dhe kandidatët nuk do të donin të bënin premtime megalomane, por për shkak se qytetarët nuk iu besojnë më”, deklaroi Imer Mushkolaj.

Ndryshe zgjedhjet lokale do të mbahet të dielën, përderisa nesër është heshtje zgjedhore. /Lajmi.net/