Mushkolaj: Opozita t’i pezullojë veprimet e dhunshme dhe t’i jep mundësi dialogut

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ta pezullojë deri më 12 janar të vitit 2016 marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ka nisur edhe reagimet e para.

Lajme

10/11/2015 22:37

Menjëherë pas këtij vendimi, opozita e bashkuar përmes një reagimi ka thënë se nuk do të heqë dorë nga bllokimi i Kuvend deri në tërheqjen e plotë të nënshkrimeve nga Asociacioni dhe demarkacioni me Malin e Zi. Sipas tyre, ata nuk i besojnë Gjykatës Kushtetuese.

Reagime të ashpra, në anën tjetër, kanë ardhur nga Serbia, ku shefi i diplomacisë, Ivica Daçiq ka thënë se Kosova me ketë vendim po cenon stabilitetin në rajon.

Analisti politik, Imer Mushkolaj në një prononcim për Republika.info thotë se vendimi i kushtetueses ka qenë i pritshëm.

Sipas tij, pas këtij pezullimi duhet të reflektojë edhe opozita dhe t’i pezullojë veprimet e veta të dhunshme, për t’i dhënë mundësi dialogut.

“Opozita do të duhej po ashtu t’i suspendojë veprimet e veta të dhunshme dhe t’i jep shans dialogut, në mënyrë që të shihet se çfarë mund të bëhet me marrëveshjet e nënshkruara”, ka thënë Mushkolaj.

Megjithatë, ai thotë se i takon edhe kryeministrit dhe qeverisë që të provojë të vendos dialog me partitë opozitare.

“Kjo të ndodh pasi që pasi që qëndrimet e tyre janë të qarta dhe kërkesat i drejtohen Mustafës”, ka thënë në fund Mushkolaj.