Mushkolaj: Një ndër arsyet pse PDK, AAK e Nisma janë në koalicion është edhe Gjykata Speciale

Koalicioni parazgjedhor mes PDK-së, AAK-së e Nismës për Kosovën për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit  vetëm pak kohë para se të përfundonte afati ligjor për dorëzim të koalicioneve në KQZ, ka befasuar shumë këndë në Kosovë.

Lajme

20/05/2017 12:15

Kjo për faktin se vetëm pak ditë më parë kreu i AAK-së, i cili nga ky koalicion është i nominuar si kryeministër, ishte deklaruar se nuk do të ketë bashkëpunim me dy partitë në pushtet.

Analist politik Imer Mushkolaj vlerëson se njëra nga arsyet pse është bërë ky koalicion është edhe Gjykata Speciale.

Ai në një intervistë për lajmi.net thotë se fituesi i zgjedhjeve është i paqartë, pavarësisht se në përparësi është koalicioni rreth PDK-së.

Mushkolaj nuk e përjashton mundësinë që edhe koalicioni i ‘Krahut të Luftës’ të përfundojë mandatin para kohe, siç ka ndodhur edhe me koalicionet e ‘mëdha’ në vitet e kaluara.

Për të vendimi i Vetëvendosjes për të hyrë e vetme në zgjedhje nuk është befasi.

Lajmi.net: Në zgjedhjet e 11 qershorit në garë do të jenë tri blloqe, dy koalicione  të mëdha dhe Lëvizjen Vetëvendosje e cila ka hyrë e vetme. Si i vlerësoni garën,kush sipas jush do të dal fitues?

Mushkolaj: Teknikisht, nëse mblidhet numri i votave të fituara nga partitë politike veç e veç, në zgjedhjet e kaluara, në përparësi është koalicioni rreth PDK-së. Por, nuk duhet harruar se shumë gjëra kanë ndodhur gjatë këtyre tre vjetëve. Ka ndodhur qeverisja e dobët LDK-PDK, ka ndodhur prishja e koalicionit, ka ndodhur zhgënjimi i madh i qytetarëve. Andaj, ndonëse mund të duket e qartë në shikim të parë, është e paqartë se kush do të dalë fitues.

Lajmi.net: PDK ka vendosur t’i jap postin e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe për të hyrë në koalicion me AAK e Nisma?. Sipas jush a e bëri PDK këtë veprim nga frika e humbjes së zgjedhjeve?

Mushkolaj: PDK e ka të rëndësishme që gjithsesi të vazhdojë së qëndruari në pushtet. Andaj, ka qenë në gjendje të sakrifikojë edhe pretendentin për kryeministër, vetëm që të bashkëqeveris, po që se koalicioni i fiton zgjedhjet. Ky koalicion parazgjedhor nuk do të kishte ndodhur nëse LDK nuk do të kishte bërë koalicion me AKR-në e Alternativën.

Lajmi.net: Përvojat e kaluara kanë treguar që koalicionet e mëdha nuk kanë arritur të kenë stabilitet. A mendoni se koalicioni PDK-AAK-Nisma, do të ketë fatin e njëjtë nëse i fiton zgjedhjet?.

Mushkolaj: Në këtë rast opozita do të ishte shumë e fortë dhe koalicioni qeverisës nuk do ta kishte të lehtë qeverisjen. Do të varej pastaj nga mundësia ose pamundësia e marrjes së vendimeve se sa do të mund të qëndronte stabil. Por, praktika e deritashme ka treguar se PDK-së nuk mund t’i besohet, andaj çdo gjë është e mundshme.

Lajmi.net: Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur që të hyjë në zgjedhje e vetme. A mendoni se ka vepruar drejtë.

Mushkolaj: Duke pasur parasysh qëndrimet e deritashme të Lëvizjes Vetëvendosje karshi partive të të dyja koalicioneve, ka qenë e pritshme që të mos i bashkohet askujt. Mund të ketë probleme për krijimin e qeverisë së ardhshme dhe mbase atëherë Vetëvendosja do të mund ta luajë një rol të rëndësishëm.

Lajmi.net: Koalicioni PDK-AAK-Nisma, a mund te këtë ndërlidhjen edhe me Gjykatën Speciale, qoftë arrestimet, apo edhe ndonjë mundësi e ndryshimit te ligjit për Specialen, pasi ka pas iniciativa të tilla?

Mushkolaj: Një ndër arsyet pse PDK, AAK e Nisma janë bërë bashkë në këtë koalicion është edhe Gjykata Speciale, ironikisht e votuar nga ta në Kuvend. Është ndryshe që këto parti të jenë në pushtet, e ndryshe në opozitë kur të shpallen aktakuzat e para. Andaj “krahu i luftës” duket t’i ketë bërë mirë llogaritë. Është çështje tjetër nëse iu del ashtu siç e kanë menduar./Lajmi.net/