Mushica beson te Kosova

Kushtrim Mushica beson tek ekipi i Kosovës, pas humbjes nga Senegali, 3:1. Portieri kosovar thotë se ekipi i Albert Bunjakut ishte më kompakt ndaj senegalezëve, në krahasim me duelin ndaj turqve.

Sport

25/05/2014 23:11

Kosova po përmirësohet. Për këtë beson fuqishëm Kushtrim Mushica, i cili beson tek ekipi i Albert Bunjakut, përkundër humbjes 3:1 nga Senegali të dielën në Gjenevë.

Ai insiston se kosovarët luajtën më mirë ndaj ekipit afrikan, në krahasim me duelin e së mërkurës ndaj Turqisë, ku Kosova humbi 6:1.

“Ne ishim më kompaktë sot, në krahasim me Turqinë. Në ndeshjen e parë s’kishim kohë për t’u kompozuar, kurse sot u pa se ishim më të përgatitur”, deklaroi fillimisht portieri i Prishtinës.

“Sot kemi mundur të komponohemi më mirë, jemi mobilizuar dhe kemi mësuar nga gabimet e ndeshjes së parë, të cilat i kemi sanuar”.

“Besoj te kjo përfaqësuese, do të jemi edhe më të mirë në të ardhmen. I falënderoj ata që na përkrahën”, përfundoi portieri i Përfaqësueses.