Murati kërkon nga diaspora e Zvicrës t’i votojë kandidatët shqiptarë për deputetë

Ministri i Diasporës, Valon Murati ka takuar kandidatë shqiptarë për deputetë të Zvicrës, ku edhe u ka dhënë mbështetjen e tij.

Lajme

03/10/2015 13:05

Në takimi që u mbajt në Cyrih të Zvicrës, Murati shprehu kënaqësinë e tij për faktin se, të rinjtë shqiptarë nuk qëndrojnë indiferent dhe kanë guximin t’i hyjnë një gare të tillë zgjedhore në funksion të integrimit sa më të madh në jetën publike zvicerane, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Diasporës.

“Diaspora është ajo pjesë e kombit shqiptar që ka dhënë kontribut të fuqishëm dhe ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare në të gjitha kohërat dhe për të gjitha situatat”, tha Murati.

Më tej ai vlerësoi se momentalisht Diaspora është në tranzicion, në një pikë kthese, prej fazës së mobilizimit për të ndihmuar çlirimin e Kosovës – në një fazë të integrimit dhe fuqizimit në jetën politike, si formë e mundësi tjetër e ndihmës për atdheun.

“Pavarësisht rezultateve tuaja si kandidatë në këto zgjedhje, rruga në të cilën jeni futur garanton suksese të padiskutueshme. Inkuadrimi, e eventualisht, fitimin i ndonjë mandati në parlamentin zviceran përbën kulmin e integrimit të shqiptarëve në Zvicër”, tha ai.

Murati porositi që shqiptarët të jenë sa më të organizuar si komunitet dhe në këtë unitet të tyre të mos reflektojë raporti i partive politike në Kosovë.

Në anën tjetër të gjithë kandidatët për deputetë në Parlamentin e Zvicrës të pranishëm në këtë takim shprehën falënderimin e tyre për vizitën dhe mbështetjen e ministrit Murati. Ata gjithashtu falënderuan partitë zvicerane për mundësinë e dhënë që të jenë pjesë e listave të tyre zgjedhore, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për çështjen e Kosovës.

Ministri Murati dhe të gjithë kandidatët kërkuan nga shqiptarët që jetojnë në Zvicër që të dalin në këto zgjedhje dhe t’i votojnë ata.