Murati: Diaspora, faktor i rëndësishëm për të ardhmen e kombit

Ministri i Diasporës, Valon Murati ka marrë pjesë në Forumin e Unionit të Bizneseve Shqiptare në Finlandë, ngjarje kjo që u mbajt në komunën e Espos.

Lajme

22/03/2015 16:00

Gjatë takimit me përfaqësuesit e bizneseve shqiptare, Murati shprehu kënaqësinë për mënyrën e organizimit të bizneseve shqiptare në Finlandë përmes UBSH-së dhe u premtoi përkrahje dhe partneritet të vazhdueshëm.
“Potenciali i juaj është faktor i rëndësishëm për të ardhmen e kombit”, tha ministri i Diasporës.
Murati  gjithashtu foli për bashkëpunimin me dikasteret tjera qeveritare, duke bërë të njohur edhe propozimin e tij për krijimin e një mekanizmi ndër-qeveritar për lehtësimin e të bërit biznes për ndërmarrësit nga diaspora, propozim ky që është miratuar dhe futur në programin qeverisës.
Gjatë takimit u bë edhe prezantimi i funksionimit të Unioneve të Biznesit Shqiptar në vendet e ndryshme të botës si dhe Unionit Global të Bizneseve Shqiptare në Diasporë, ndërsa u anëtarësuan edhe 20 biznese të reja në UBSH Finlandë, si dhe u prezantuan projekte të ndryshme të interesit të tyre.

UBSH – Finlandë udhëhiqet nga kryesia prej 8 anëtarëve dhe kryetari Omer Nura.

Themelimi i Unioneve te Biznesit në Diasporë është inicuar nga Ministria e Diasporës, me qëllimin e rrjetëzimin e bizneseve shqiptare në botë, ku do të realizohet qarkullim i biznesit ndërmjet bizneseve shqiptare dhe investimi në projekte të ndryshme në atdhe.

Deri më tani janë themeluar 17 rrjete të biznesit në diasporë, përfshirë vendet evropiane si dhe SHBA-të dhe Australinë, njofton Ministria e Diasporës. (lajmi.net)