Murati: Detyrat e shtëpisë duhet t’i bëjmë për interesin tonë, jo për BE-në

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se mesazhi që duhet nxjerrë nga lajmi se sivjet s’do të ketë liberalizim të vizave, është se Kosova duhet t’i kryejë detyrat e shtëpisë për interes të vetin, të qytetarëve, të shtetit e kombit, e jo për hatër të BE-së.

Lajme

03/12/2018 22:26

“Ne mund të qajmë e të vajtojmë sa të duam. Por një gjë duhet t’ia bëjmë të qartë vetes: qeverisja e mirë, sundimi i ligjit e lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe reformat në arsim e shëndetësi, nuk duhet të bëhen për hatër të BE-së e për liberalizim të vizave, por për nevojat tona këtu në Kosovë e për rritjen e cilësisë së jetës sonë”, ka thënë Murati, nëpërmjet një shkrimi në Facebook.

“Në anën tjetër, institucione e BE-së, e sidomos Komisioni e ka bërë punën e vetë duke dhënë rekomandimin pozitiv për vizat. Por nuk duhet harruar se BE-ja është produkt i interesave të shteteve që e kanë krijuar dhe ato interesa të brendshme kanë bërë që të na zvarrisin në hapin final të realizimit të liberalizimit të vizave. Sot më shumë se kurrë është e qartë se ne duhet t’i bëjmë mirë detyrat tona të shtëpisë për interesin tonë, qytetarëve tanë, shtetit e kombit tonë”, ka shtuar më tej.