Munih, kosovari ther kosovarin, thotë se është me trauma lufte

I riu kosovar i cili ishte shkaktar i sulmit me thikë ndaj një bashkëkombasi të tij, ka deklaruar se është me trauma që nga lufta, pasi sipas tij ishte dëshmitar kur forcat serbe kishin dashur t'ia grabitnin fëmijën një nëne, pastaj e kishin lyer me benzinë dhe e kishin djegur.

Lajme

03/09/2014 11:40

27-vjeçari ka sulmuar me thikë kosovarin tjetër 34 vjeçar, duke i shkaktuar një therje prej rreth tetë centimetrash në regjionin e veshkave, por për fat nuk ka prekur organet vitale të tij, kështu që ka shpëtuar pa pasoja serioze, raporton Albinfo.

Por deklarata e sulmuesit se është me trauma lufte nuk ndryshon shumë në akuzën për tentim vrasje të lexuar ndaj tij në një gjykatë të Munihut.

I paraqitur në seancën gjyqësore, Bujar H. ka pranuar therjen e bashkatdhetarit te tij, Xhevdet K., që ka ndodhur pas një rrahjeje në mes tyre në një diskotekë, në maj të vitit të kaluar.

Por, sipas tij zënka është provokuar nga viktima.

“Ai ishte shumë më i madh me trup se unë kështu që nuk kisha shanse ndaj tij”, “arsyeton” Bujari sulmin e tij me thikë.

Më tutje kosovari ka pohuar se traumat e pësuara në luftën e Kosovës (kur ai ishte fëmijë 11 vjeçar) e kishin sjellë në këtë gjendje.

Sipas tij, ai kishte qenë dëshmitar kur forcat serbe kishin sulmuar një grua duke dashur t`ia grabitnin fëmijën.

Pasi që ajo kishte rezistuar, ata e kishin lyer me benzinë dhe e kishin djegur.

Kjo ngjarje e kishte traumatizuar atë duke i shkaktuar ndjenjën e frikës dhe pasigurisë.

Bujari kishte shkuar në Gjermani në fillim të vitit 2010, ku jetonte si azilkërkues.

Me kalimin e kohës kosovari kishte krijuar varësi nga bixhozi dhe alkooli.

Kjo e kishte sjellë në gjendjen që të ushtronte dhunë ndaj të tjerëve.

“Unë përpiqem ta zotëroj veten”, ka thënë para trupit gjykues kosovari, duke shpjeguar gjendjen e tij.

Partnerja e tij italiane-kosovare, e cila tashmë është dhe nënë e fëmijës së përbashkët, ishte kundër varësisë së tij ndaj alkoolit por, siç thotë ai, “nuk kishte çka të bënte”.

Gjatë kohës së qëndrimit në burg ai i ishte drejtuar shërbimit për ndihmë kundër varësisë dhe tashmë kishte frekuentuar dhjetë orë këshillimi.

Procesi, të cilit shumë medie gjermane i kanë bërë jehonë të konsiderueshme, është duke vazhduar.