Mungon siguria, 10 të vdekur në vendet e punës

Niveli i sigurisë në punë si në institucionet publike ashtu edhe në ato private edhe më tutje mbetet shumë i ulët, ku si pasojë nga fillimi i vitit e deri më tani 10 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës, ndërkaq 42 të tjerë janë lënduar.

Lajme

04/11/2014 09:31

Për mossigurinë e punëtorëve, si dhe për shkeljen e të drejtave të tyre e konfirmon edhe vetë Basri Ibrahimi, kryeinspektor në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS). Sipas tij, në sektorin privat janë edhe shkeljet më të mëdha të të drejtave të punëtorëve,  ku ai veçon sektorin e ndërtimtarisë. 

“Gjatë vitit 2014 kemi pasur 10 raste të vdekjes në vendin e punës, ku 8 raste kanë qenë në sektorin privat, kryesisht janë rastet në ndërtimtari, ndërsa dy raste kanë ndodhur në sektorin publik dhe atë në Korporatën Energjetike të Kosovës. Ndërsa, sa i përket lëndimeve deri më tani kemi pasur 42 raste. Të drejtat e punëtorëve vazhdohen edhe më tej të mos respektohen nga kompanitë private. Sektori privat është shkelësi më i madh i të drejtave të punëtorëve, e sidomos në sektorin e ndërtimtarisë. Në atë publik, të drejtat e punëtorëve janë më të rralla, ka shkelje në dhënien e kontratave si dhe në çështjen e konkurseve” ka thënë ai.

I pyetur se në cilat kompani bëhet fjalë për vdekjen e punëtorëve, kryeinspektori nuk bëri të ditur emrat e kompanisë, por vetëm ka thënë se bëhet fjalë vetëm për sektorin e ndërtimtarisë.

Sipas kryeinspektorit Brahimi, mungesa e inspektorëve në terren ka bërë që edhe më tutje numri i rasteve të vdekjeve apo edhe lëndimeve në punë të jetë i madh.

“Nëse marrim parasysh se në vend janë afro 50 mijë kompani, të gjitha këto kompani mbikëqyren nga 50 inspektorë, që i bije që një inspektor brenda vitit duhet të mbikëqyrë 1000 kompani, që është shumë e pamundshme” ka thënë ai.

Sipas tij, në vitin 2014 janë bërë 2619 konfiskime, ndërsa janë shënuar 1045 vërejtje, kur sipas tij, është konstatuar se ka edhe shkelje të ligjit.

Të pakënaqur me sigurinë e punëtorëve dhe të drejtat e tyre në punë shprehet edhe Haxhi Arifi, nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura (BSPK).

Sipas tij, dhjetëra punëtorë brenda muajit paraqesin ankesa për shkelje të të drejtave të tyre në punë.

“Brenda BSPK-së ekzistojë zyre, ku punëtorët mund të paraqesin edhe rastet kur janë shkelur të drejtat e tyre. Brenda muajit janë dhjetëra raste që paraqiten, ku ne i shqyrtojmë edhe rastet, pasi jemi në bashkëpunim edhe me Inspektoratin e Punës. Ky numër është shumë i vogël në krahasim me shkeljen që ju bëhet atyre, pasi që shumica e tyre hezitojnë që të mos paraqesin rastet se kanë frikë se mos kompania e tyre u kundërvihet. Unë u kisha bërë thirrje të gjithë punëtorëve që të bëjë ankesë për rastet kur edhe ju mohohet e drejta në punë sepse të gjitha ankesat bëhen në mënyrë anonimiteti” ka thënë ai.

Sipas kryetarit të BSPK-së, sektori privat është ai që më së shumti shkel të drejtat e punëtorëve. “Në sektorin privat ka më shumë shkelje të të drejtave të punëtorëve si: puna jashtë orarit nuk paguhet, punësimi pa konkurs, puna pa kontrata, mosrespektimi i pushimeve, të cilat janë disa nga shkeljet e Ligjit të Punës” ka thënë Arifi. (Zëri)