Mungon prokurorja, shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj ish-inspektorit të Komunës së Prishtinës dhe dy të tjerëve

Mungesa e prokurores, Merrushe Llugiqi, ka bërë që të shtyhet seanca e së enjtes ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, Bajram Ismajli, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare si dhe ndaj Ylbere Salihut e Rrahim Krasniqit, të akuzuar për uzurpim të pronës së paluajtshme.

Lajme

17/05/2018 16:30

Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, deklaroi se prokurorja nuk e ka arsyetuar mungesën e saj.

Për shkak të mungesës së prokurores Llugiqi, kjo seancë është shtyrë për 24 maj, me fillim nga ora 13:30.

Edhe seanca e paraparë të mbahej më 29 mars, ishte shtyrë për shkak të mungesës të akuzuarit Rrahim Krasniqi.

Ndryshe, në seancën fillestare, të mbajtur më 26 shkurt të këtij viti, tre të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje me akuzat për të cilat ngarkohen nga prokuroria.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ngritur më 10 tetor të vitit 2016, ish-inspektori i ndërtimit në Komunën e Prishtinës, Bajram Ismajli, gjatë viteve 2000–2009, akuzohet se ka keqpërdorur pozitën zyrtare me qëllim që vetit apo personit tjetër t’i sjellë dobi pasurore. Sipas prokurorisë, këtë e kishte bërë duke mos ndërmarrë veprime të cilat kanë qenë në kompetencë të tij.

Kështu, ai akuzohet se nuk i kishte ndaluar punimet dhe nuk kishte marrë vendim për rrënimin e mbindërtimeve, të ndërtuara në hapësirën e përbashkët të uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme nga Rrahim Krasniqi dhe Ylbere Salihu, në lagjen “Qendra” në kompleksin “Avalla”.

Prokuroria pretendon se Rrahim Krasniqi, prej vitit 2008 e deri më 5 shtator 2016, në mënyrë të kundërligjshme kishte uzurpuar pronën e paluajtshme, e cila gjendet në lagjen “Qendra”.

I njëjti, sipas aktakuzës, në kundërshtim me pëlqimin e Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Prishtinës, kishte ndërtuar një verandë nga profilet e çelikut, me ç ‘rast nga ky mbindërtim i është shkaktuar dëme banuesit tjetër në këtë ndërtesë, Memli Kabashit.

Një mbindërtim, pa pëlqimin e Drejtorisë së Urbanizmit akuzohet se e ka bërë edhe Ylbere Salihu, në po atë lagje. E njëjta, në periudhën e njëjtë kohore me të akuzuarin Krasniqi, sipas prokurorisë, kishte uzurpuar pronën e paluajtshme dhe kishte mbi ndërtuar një hapësirë për banim nga materialet e drurit, me ç‘rast edhe ajo akuzohet se i kishte shkaktuar dëme Memli Kabashit./betimiperdrejtesi.com