Mungon Marjan Dema, shtyhet gjykimi ndaj ish-rektorit Enver Hasani për rastin e UP-së

Mos prezenca në seancë e rektorit aktual të Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, i ftuar si dëshmitar në gjykimin ndaj ish-rektorit, Enver Hasani, ka bërë që seanca e paraparë për të hënën, të shtyhet për muajin tetor.

Lajme

25/09/2017 15:15

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, njoftoi palët e pranishme në seancë, se dëshmitari Dema e kishte njoftuar gjykatën se dëshiron të dëshmojë në gjykatë për rastin ku Enver Hasani, Haki Veliu dhe Albert Rakipi, po gjykohen për veprën penale “mashtrim në detyrë”.

Gjyqtari Hoti, gjithashtu njoftoi se dëshmitari Dema përmes një shkrese e kishte lajmëruar gjykatën se gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një udhëtim zyrtar, andaj nuk do të mund të dëshmojë në seancën e së hënës.

Për këtë shkak seanca u vendos të shtyhet për 10 tetor 2017, nga ora 13.00.

Në seancën e kaluar, kërkesa e prokurores Drita Hajdari, që si dëshmitar të  ftohet Marjan Dema ishte refuzuar nga ana e gjykatës, pasi që dëshmia e tij ishte lexuar dhe administruar më parë gjatë këtij procesi gjyqësor.

Lidhur më këtë, pati vërejte edhe mbrojtësi i të akuzuarit Enver Hasani, avokati, Bajram Tmava, i cili tha se nuk ka ndodhur më parë që me dëshirën e dëshmitarit, i njëjti të ftohet për të dëshmuar.

“Unë kam dyshime shumë seriozë në ligjshmërinë e ftesës së Marjan Demës për tu ftuar si dëshmitar, pasi që trupi gjykues kishte vendosur një herë që të refuzohet kërkesa e prokurorisë që i njëjti të ftohet për të dëshmuar”, tha në fjalën e tij, avokati Tmava.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), pretendon se Enver Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Veliu në cilësi të shefit të Zyrës së Prokurimit në UP dhe Ragipi në cilësi të drejtorit të Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN) me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për këtë institut, kishin falsifikuar kontratën origjinale lidhur me përkthimin e disa librave nga gjuha angleze në atë shqipe. Sipas aktakuzës, të njëjtit kishin hartuar edhe një kontratë të re, duke shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit nga kontrata origjinale. Sipas kontratës origjinale, vlera e saj kishte qenë 500.000 euro, përkatësisht çmimi i pagesës për njësi 1000 fjalë 12.65 euro e stipuluar me nenin 17, ndërsa në kontratën e re sipas prokurorisë, kjo pjesë është ndryshuar në 1000 karaktere për 12.56 euro.