Mungesë arti apo mungesë buxheti

Teatri Kombëtar i Kosovës, për vite me radhë ka qenë tempull i artdashësve dhe kulturës, e cila nga Kosova ka pasur jehonë në shumë vende të zhvilluara të botës.

ShowBiz

11/12/2016 12:17

Në dërrasat e tij kanë shkelur për vite me radhë shumë prej emrave që bënë historinë e lojës para publikut, duke nisur e përfunduar karrierën në të. Megjithatë, sidomos në vitet e pasluftës, entuziazmi i kthimit të ‘banorëve’ në shtëpinë e tyre, duket se nuk shkoi edhe gjithnjë ashtu si pritej. Shumë pak aktorëve ndër vite iu bë vend në Teatër, ndërkohë që shumë prej tyre zgjodhën forma të tjera të të bërit të artit jashtë ambienteve të Teatrit. Ndërkohë që janë edhe gjeneratat e reja të cilat e kanë të vështirë që të bëhen pjesë e shfaqjeve që nënshkruhen me emrin e Teatrit.

Humbja e interesimit të publikut për shfaqjet jo të shumta në Teatrin Kombëtarë, tregon se seriozisht menaxhmenti i saj duhet të merret me punën kryesore që ka, mbushjen e sallave me njerëz që duan të shohin shfaqje meritore në Teatër. Të ndryshme janë mendimet dhe opinionet e art-bërësve në vend, kur është në pyetje dhënie e një mendimi për gjendjen aktuale të Teatrit. Disa prej tyre thonë se institucionet e vendit kanë dhënë mjaftueshëm buxhet për punën e Teatrit, ndërkohë ata që janë brenda Teatrit thonë se nuk kanë para mjaftueshëm.

Arian Krasniqi, dramaturg dhe kryetar i Këshillit Drejtues për Teatrin Kombëtar të Kosovës, tha se gjatë vitit që po e lëmë zhvillimi i teatrit ka qenë pozitiv në kuptimin e numrit të premierave, cilësisë, prezantimit ndërkombëtar dhe rritjes së numrit të publikut. Ndërsa sa i përket shfaqjeve të dramës shqipe dhe asaj të huaj, Krasniqi tregoi që udhëheqësit e teatrit obligohen me ligj që t’i jepet përparësi dramës shqipe. Krasniqi tha se apelon që Ministria e Kulturës të shqyrtoi kërkesën e menaxhmentit të Teatrit Kombëtar për shtim të buxhetit dhe kjo rritje të mos jetë simbolike por të vërehet ndjeshëm, ngase, sipas tij, shfaqjet e realizuara gjatë këtij viti arsyetojnë nevojën për ngritje financiare.

Arsyet se përse duhet të ndiqet teatri Krasniqi tha se janë të shumta sepse sipas tij gjatë një shfaqje mund të komunikosh me paraqitjen e saj në skenë dhe ja vlen ta shikosh një shfaqje sepse aty ofrohen tema të ndryshme dhe interpretime që na bëjnë të identifikohemi me personazhet, ngjarjen dhe ndodhitë në skenë.

Ndue Ukaj, këshilltari i ministrit për Kulturë, Rini dhe Sport, tha për KosovaPress se të gjitha institucionet kulturore kanë pasur rritje të buxhetit për 20 për qind dhe se ministria çdoherë është në mbështetje të Teatrit në mënyrë që ai të luaj rolin të cilin e ka në çdo shoqëri demokratike.

Ai shtoi se Teatri Kombëtar ka një buxhet i cili është aprovuar bashkërisht nga ata dhe Këshilli drejtues, gjithashtu përmendi edhe se gjatë këtij viti është plotësuar Ansambli i Rezidencës me aktorë të rinj dhe se janë duke punuar në standardizimin e pagave.

Nga ana tjetër, regjisorja Burbuqe Berisha thotë se teatri ndodhet në gjendje krize, dhe duke funksionuar kështu si është sot ai vizitohet vetëm nga ata që e duan shumë. Berisha thotë që asnjëherë nuk është ftuar nga Teatri si regjisore, dhe nuk arrin ta kuptoj arsyen përse nuk u jepet hapësirë edhe regjisorëve kosovarë, përderisa vendi ka kaq shumë regjisorë të talentuar.

Ndërsa sa i përket mbështetjes financiare, Berisha thotë se Teatri është i privilegjuar në këtë aspekt, por që sipas pavarësisht shfaqjeve teatrore në vend që janë shumë kreative, është e rëndësishme që të promovohen edhe jashtë vendit.

Vetëm cilësia artistike mund të rris shikueshmërinë, thotë Berisha, e cila e cilëson si shumë të rëndësishme mos përsëritjen e emrave të aktorëve, por pret që të ketë më shumë ndërrime ngase Kosova edhe ashtu ka mjaftë aktorë të talentuar. Ajo e cilëson si shumë atraktive për shikuesit edhe ndërtimin e teatrit sot, i cili përbëhet nga pjesa dramatike, muzika dhe vallëzimi.

Burbuqe Berisha tha edhe se në kryeqytet ka shumë zgjedhje sa i përket shfaqjeve teatrale sepse Prishtina ka katër teatro aktiv dhe shikuesit mund të zgjedhin, nëse nuk dëshirojnë të shohin diçka nga dramaturgjia klasike apo moderne mund të shohin shfaqje nga teatri alternativ.

Sipas saj pozita e Teatrit në Kosovë është në nivelin mesatar sepse Kosova ka krijues të mirë, regjisorë, aktorë, si dhe bashkëpunëtorë që dinë dhe mund të prodhojnë shfaqje cilësore në teatër.