Mungesa e sallës bën që një pjesë e publikut të Filarmonisë së Kosovës të kthehet në shtëpi

Vepra e Rafer Rudit "IN A" solli Korin e Filarmonisë së Kosovës si dhe Artemida Qarri-Haxhiajn- piano Melos Buza në piano, Patris Berisha- perkusione, Meriton Zajmi - perkusione dhe Kenan Bytyqi- perkusione. Kurse Soprano ishin Adelina Paloja dhe Kaltrina Miftari.

ShowBiz

13/03/2017 11:48

Zëra dhe tinguj të larmishëm kanë buçitur mbrëmë në Sallën e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet. E gjitha filloi me paraqitjen e Korit të Filharmonisë së Kosovës të cilët duke interpretuar veprën “Ave Maria” shënuan edhe fillimin e këtij koncerti vokalo-instrumental. Më zërat e tyre të fuqishëm anëtarët e Korit arritën që të sjellin për herë të parë para publikut kosova veprën e dirigjentit të koncertit të mbrëmshëm, Marcio Da Silva.

Me të përfunduar vepra dritat në sallë u zbehën duke vënë në vëmendje të publikut violonçelistin Antonio Gashi, mbi të cilin tashmë reflektonte një dritë e kaltër në mesin e skenës. Tingujve të këndshëm të violonçelit i bashkoheshin edhe zërat e anëtarëve të Korit duke sjellë kështu veprën “O Magnum Mysterium” të kompozitorit shqiptar Hajrullah Syla.

“Sigurisht është ndjenjë shumë e mirë kur një vepër e kompozuar vihet në jetë prej Korit të Filarmonisë dhe solistit Antonio Gashi ku jam shumë i kënaqur me interpretim por edhe më punën e bërë. Besoj që tek publiku ka arritur që të përçohet mesazhi i veprës kështu që besoj që tek publiku ishte një ngrohtësi, të paktën këtë e mora unë”, u shpreh kompozitori Syla për KultPlus duke treguar se kjo është një shtysë për të vazhduar punën me kompozime të reja.

Me të përfunduar vepra e kompozitorit shqiptar “O Magnum Mysterium” kori u kthye përsëri tek kompozitorët brazilianë për të sjellë veprën “Jubiaba” të kompozitorit Carlos Alberto Pinto Fonseca, vepër kjo që solli një akapella mjaftë tërheqëse gjersa Denik Prizreni ishte bariton. Mirëpo zërat e anëtarëve të Korit të Filharmonisë së Kosovës filluan përsëri që të frymonin shqip duke sjellë kështu veprën “In A” të kompozitorit Rafet Rudi, e cila erdhi me një ritmikë nga tingujt e perkusioneve dhe dy pianove.

“Jam shume i lumtur që vepra është pranuar nga publiku, sepse është një vepër jo tipike për krijimtarinë time por në këtë vepër unë kam kombinuar modernizmin evropian të viteve të 70-të, elemente të muzikës zbavitëse, pastaj ka elemente jazz dhe natyrisht dominimi i plotë i muzikës tonë popullore, përndryshe edhe teksti është tekst popullor”, është shprehur Rafet Rudi .

Vepra e Rafer Rudit “IN A” solli Korin e Filarmonisë së Kosovës si dhe Artemida Qarri-Haxhiajn- piano Melos Buza në piano, Patris Berisha- perkusione, Meriton Zajmi – perkusione dhe Kenan Bytyqi- perkusione. Kurse Soprano ishin Adelina Paloja dhe Kaltrina Miftari.
Në vepër përdoret teksti popullor i huazuar nga një këngë popullore e rrethit të Vlorës, kurse melodia e këngës popullore e cila shfaqet në fund të pjesës së parë, është improvizim origjinal i thjeshtë në suaza të modit pentatonik. Teksti flet për dy vajza-gushë argjenda, të cilat kanë dëshirë që të këndojnë dhe janë temperamente, çka është vërejtur edhe në vepër, mirëpo paraqitet edhe kundërshtimi i rrethit që vajza të jetë e lirë të këndojë.

Për dirigjentin Marcio Da Silva Filharmonia e Kosovës ka një potencial të madh të korit, orkestrës por edhe të kompozitorëve, gjersa sipas tij ajka e koncerteve është publiku.

“Por mua gjëja më e rëndësishme është audienca, fakti se sa shumë njerëz vijnë nëpër këto koncerte sepse kjo mbetet sfidë për të tjerët kurse këtu kodo që është Filharmonia është edhe publiku. Shpresoj që në të ardhmen ata të kenë një sallë më të madhe se kjo sepse shumë njerëz është dashur që të shkojnë në shtëpi dhe kjo është çmenduri. E kuptoj limitimin ndoshta me buxhet por kjo më bënë nervoz dhe besoj që duhet të vazhdohet një kampanjë e madhe që ti tregohet qeverisë se është e lehtë të justifikohen shpenzimet pasi që ka kërkesa të mëdha nga publiku” u shpreh ai.

Pjesa e dytë solli në skenë gjithë trupën e Filharmonisë së Kosovës duke përfshirën Korin dhe Orkestrën me soprano Kaltrina Miftarin, të cilët sollën një muzikë më të qetë por që mbetej e këndshëm.

“Koncerti ishte i veçantë meqë programi ishte krejtësisht premierë dhe u dirigjua nga një dirigjent shumë profesionist dhe me perspektivë. Për mua ishte nderë të isha soliste në dy veprat kryesore të mbrëmjesl”, u shpreh sopranoja Kaltrina Miftari.

Mirëpo për drejtorin e Filharmonisë së Kosovës – Baki Jashar, përkundër interpretimit që ishte në nivel të lartë, imazhi i Filharmonisë së Kosovës zbehet kur ajo nuk është në gjendje të pranojë publikun që ka ardhur.

“Është shumë ndërmarrje e madhe kur ansamblet e mëdha realizojnë veprat e kompozitorëve që sot jetojnë, sot i shkruajnë ato dhe kjo natyrisht mund të quhet si një përkujdesje institucionale për përkujdesjen e krijimtarisë kombëtare të muzikës artistike. Filarmonia gjithmonë mundohet që të stimulojë të rinjtë. Neve na vjen shumë keq që edhe sonte publiku erdhi dhe u detyrua që të kthehet pasi që as deri tek dera nuk po arrijnë që të vijnë duke mos diskutuar për korridoret e hapësirës lartë që po shfrytëzohen nga publiku”, u shpreh ai. KultPlus.com