Mungesa e rrymës u shkaktoi humbje 290 milionë euro bizneseve

Kostoja e energjisë elektrike, konkurrenca jo e drejtë, mungesa e stabilitetit politik janë pengesat më të mëdha në të bërit biznes në vend.

Lajme

15/03/2017 10:59

Këto të dhëna kanë dalë nga hulumtimi i Odës Ekonomike  të Kosovës (OEK) “Si ta fuqizojmë sektorin privat në Kosovë” që ka për qëllim identifikimin e barrierave në të bërit biznes në vend, raporton Ekonomia Online.

Berat Rukiqi, këshilltar strategjik në OEK gjatë prezantimit të hulumtimit tha se për shkak të mungesës së energjisë elektrike bizneset në Kosovë kanë paguar 290 milionë euro shtesë për ta siguruar rrymën.

Kështu që nga mungesa e energjisë elektrike bizneset detyrohen të aktivizojnë gjeneratorë për ta siguruar rrymën gjatë zhvillimit të biznesit.

Sipas Rukiqit, Prishtina Peja dhe Ferizaj janë komunat që përballen me më së shumti barriera në të bërit biznes.

Gjatë prezantimit të këtij raporti, Rukiqi tha se lajmi i mirë është që për vitin 2017, 58 për qind e bizneseve kanë deklaruar që do t’i rrisin bizneset e tyre.

“Ne presim që kjo të rezultojë në rritje të vendeve të reja të punës. Mbi 75 për qind e bizneseve i shohin vizat si problem dhe me ndikim në aktivitetin e tyre biznesor”, ka thënë ai.