Mungesa e prokurorit dhe e dy të akuzuarve shtyn gjykimin për korrupsion ndaj ish-zyrtarëve të Kllokotit – Lajmi.net
Mungesa e prokurorit dhe e dy të akuzuarve shtyn gjykimin për korrupsion ndaj ish-zyrtarëve të Kllokotit
Autori: Lajmi.net LajmeNacionale 14:08, 17 April 2018
Në Gjykatën Themelore në Gjilan, të martën, ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj ish-kryetarit të Komunës së Kllokotit, Sasha Mirkoviq si dhe ndaj ish-kryesuesit të Kuvendit Komunal të kësaj komune, Zharko Dejanoviq, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Shkak i mos mbajtjes së kësaj seance ishte mungesa e prokurorit Arben Ismaili dhe e dy të akuzuarve, Mirkoviq dhe Dejanoviq.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Ademi, theksoi se palët i kanë pranuar ftesat në mënyrë të rregullt, por që nuk prezantojnë në sallën e gjykimit.

“Në seancën e sotme nuk është prezent prokurori edhe pse është ftuar në mënyrë të rregullt, nuk prezantojnë as të akuzuarit edhe pse janë ftuar në mënyrë të rregullt”, tha Ademi.

Në sallën e gjykimit ishin vetëm mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Faredin Ymeri, mbrojtës i Mirkoviqit dhe Jehona Sylejamami, mbrojtëse e Dejanoviqit.

Mbrojtësit e të akuzuarve, deklaruan se nuk kanë kontaktuar për këtë seancë me klientët e tyre, pasi kanë besuar që të marrin pjesë në seancë sepse, sipas tyre, ata nuk kanë munguar më parë.

Pasi mungesa e palëve bëri që të dështoi kjo seancë, kryetari i trupit gjykues deklaroi se pasi të akuzuarit e kanë pranuar ftesën në mënyrë të rregullt dhe nuk kanë ardhur në gjykatë për seancën e radhës do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.

Sipas nenit 306 të Kodit të Procedurës Penale, parashihet se kur prokurori i shtetit nuk paraqitet në shqyrtim gjyqësor të caktuar në bazë të aktakuzës së prokurorit të shtetit, shqyrtimi gjyqësor shtyhet dhe për këtë gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues e njofton Kryeprokurorin e Prokurorit të Shtetit.

Në gjykatë ishte prezent po ashtu edhe përfaqësuesi i Komunës së Kllokotit, në cilësinë e palës së dëmtuar Dejan Vllajkoviq dhe dëshmitarët Sreqko Spasiq dhe Dardan Novosella.

Seanca e radhës është caktuar për 22 maj 2018, në ora 9:30.

Ndryshe, pasi përfundoi seanca dhe u caktua e njëjta për një ditë tjetër, në gjykatë u paraqit prokurori Arben Ismaili, i cili mori datën për seancën e ardhshme.

Sipas aktakuzës, Sasha Mirkoviq dhe Zharko Dejanoviq, akuzohen se si persona zyrtarë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe Dardan Novosellën, kanë tejkaluar kompetencat e tyre.

Në aktin akuzues, thuhet se të njëjtit, pa i përfillur procedurat ligjore, kanë nxjerrë vendimin dhe kanë dhënë në shfrytëzim më qira një ngastër kadastrale për periudhë 10 vjeçare, konkretisht Qendrës për Mjekësi Fizikale dhe Rehabilitim, “Nëna Naile”, me pronar Dardan Novosellën.

Sipas aktakuzës, për disa muaj nuk është inkasuar asnjë pagesë nga qiraja, gjë e cila i ka shkaktuar dëm material buxhetit komunal në vlerë prej 7,700.00 euro./betimiperdrejtesi.com

Fotolajm

“Kulturë boksi” përpara Ministrisë së Kulturës në Prishtinë /FOTO
Foto, aparati për matjen e fuqisë së goditjes përpara Ministrisë së Kulturës në Prishtinë /lajmi.net ?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Turbo Racing 3
  • Play Rock Wheels
  • Play Urban Basketball
  • Play World Soccer Champion