Mungesa e Pacollit, vonon emërimin e ministrit të Brendshëm

Behgjet Pacolli ndodhet në një vizitë jashtë vendit. Kjo po e bën të pamundur zgjedhjen e ministrit të ri të Brendshëm nga radhët e AKR-së.

Lajme

05/04/2018 20:02

Sekretari i AKR-së, Vesel Makolli ka thënë se në mbledhjen që e kanë pasur sot, nuk është diskutuar për çështjen e ministrisë së brendshme.

“Nuk është diskutuar. Temë ka qenë riformatimi në parti”, ka thënë Makolli për lajmi.net

Ky i fundit ka bërë të ditur se lideri i AKR-së nuk gjendet në Kosovë, dhe pritet të kthehet sonte ose nesër.

Pasi që Pacolli të kthehet, pritet të bëhet përzgjedhja e ministrit të brendshëm.

“Pa qenë presidenti këtu nuk vendoset, Pacolli a vjen sonte a nesër nuk e di pasi është jashtë vendit”, ka thënë tutje sekretari i AKR-së.

Ai ka theksuar se një apo dy ditësh që kthehet Pacolli, do të vendoet për emrin e ri që do ta drejtojë MPB-në.

“Për një apo dy ditë pasi kthehet Pacolli do të vendoset”, ka theksuar Vesel Makolli.

Ndryshe, Flamur Sefaj, ministër i brendshëm u shkarkuar pas deportimit të 6 gylenistëve nga Kosova. /Lajmi.net/