Mundësi reale për një faqe të re në historinë tonë

Zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të 11 qershorit kanë shansin të zënë vend në historinë shtetërore të Kosovës duke hapur faqen e parë të një kapitulli të ri në rrugëtimin drejt fuqizimit e demokratizimit të shtetit tonë të ri. Ato janë një mundësi reale me ndikim të drejtpërdrejtë: -Për ndërtimin e institucioneve kushtetuese të përgjegjshme…

Lajme

09/06/2017 18:38

Zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të 11 qershorit kanë shansin të zënë vend në historinë shtetërore të Kosovës duke hapur faqen e parë të një kapitulli të ri në rrugëtimin drejt fuqizimit e demokratizimit të shtetit tonë të ri. Ato janë një mundësi reale me ndikim të drejtpërdrejtë:

-Për ndërtimin e institucioneve kushtetuese të përgjegjshme dhe vepruese;

-Për konsolidimin e shtetit dhe rritjen e efektivitetit të veprimtarisë së tij në shërbim të plotësimit të interesave dhe rritjes së vazhdueshme të mirëqenies të qytetarëve të vet;

-Për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe të seriozitetit e dinjitetit të saj në raportet dypalëshe dhe shumëpalëshe ndërshtetërore, në mbrojtje dhe në favor të aspiratave legjitime të qytetarëve të vet;

-Për ndarjen dhe funksionimin efikas e të besueshëm të tri pushteteve të pavarura: legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, që janë kolona e ndërtimit, ekzistencës dhe imazhit të shtetit demokratik;

-Për ndërtimin e një administrate shtetërore të aftë, të qëndrueshme dhe vepruese, me synimin për arritjen e parametrave të demokracive perëndimore;

-Për ndërtimin e shtetit të së drejtës, që përbën në thelb themelin e shtetit demokratik bashkëkohor.

Realizimi i procesit të reformës në drejtësi është kushti pa të cilën nuk bëhet dhe nuk mund të funksionojë shteti i së drejtës.

Jemi në prag të 11 qershorit dhe mundësia për fjalë apo propagandë politiko-partiake është joefektive. Qytetarët deri të dielën kanë ende kohë të vendosin për hedhjen e votës, nëpërmjet së cilës kanë mundësi reale e të gjithëfuqishme, për të hapur një faqe të re në historinë e Kosovës tonë, mund ta shndërroni në realitet:

-Duke votuar për konsolidimin e shtetit tonë;

-Duke votuar për krijimin e institucioneve kushtetuese të përgjegjshme ndaj jush dhe vepruese për zgjedhjen e problemeve jetike;

-Duke votuar për deparcielimin e pushtetit;

-Duke votuar për një administratë shtetërore të depolitizuar;

-Duke votuar për kryerjen e një reforme në drejtësi dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Kosovës.

Shfrytëzoj rastin të ftoj të gjithë bashkëqytetarët e mi të marrin pjesë në votime me synimin e dëshirën që përmes votës të shënojmë “Një fillim të ri” për Kosovën.

(Autori është kandidat për deputet me nr. 13 nga koalicioni PDK-AAK-Nisma)