Mundësi për zgjedhje të jashtëzakonshme në Skënderaj

Nëse Sami Lushtaku nuk bën betimin deri më 18 dhjetor, sipas Ligjit, Skënderaj do të duhej të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës. Lushtakut sot i është vazhduar paraburgimi për dy muaj.

Lajme

22/11/2013 16:40

Skënderaj, me shumë gjasë, do të mund të përballet me një proces tjetër zgjedhor për Kryetar të Komunës, pa u bërë ende muaji prej kur në vend u mbajtën zgjedhjet lokale.

Trupi Gjykues i EULEX’it i ka vazhduar sot paraburgimin të akuzuarve të “Grupit të Drenicës”, në mesin e të cilëve është edhe Sami Lushtaku, ish Komandant i Zonës Operative të Drenicës të UÇK’së.

Lushtaku është zgjedhur Kryetar i Komunës së Skënderajt që në raundin e parë të zgjedhjeve, më 3 nëntor, duke marrë rreth 85 për qind të votave nga qytetarët e Skënderajt.

Sipas Ligjit, nëse Kryetari i Komunës nuk konstituohet në detyrë brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve, atëherë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është e obliguar ta njoftojë Presidenten e Kosovës me gjendjen në Komunën përkatëse. Pasi ta vlerësojë situatën, Presidentja mund të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar në atë Komunë.

Zyrtarë të MAPL’së kanë thënë se kjo Ministri do të veprojë në harmoni me dispozitat ligjore.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal pret certifikimin përfundimtar të rezultateve nga organi kompetent, KQZ. Pastaj, do të punojë me strukturat e zgjedhura për implementimin e rezultateve. Në secilin rast do të veprohet në pajtim me dispozitat ligjore. Ne nuk mund të paragjykojmë situatat dhe opinioni publik do të jetë me kohë i informuar lidhur me vendimet e MAPL’së”, ka thënë për lajmi.net Zëdhënësja e MAPL’së, Lumnije Demi.

Rezultatet e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, në të cilat Sami Lushtaku ka fituar mandatin tjetër në krye të Skënderajt, janë certifikuar të hënën, më 18 nëntor, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kjo i bie që duhet të pritet mesi i dhjetorit për ta parë nëse Lushtaku do të jetë në gjendje ta bëjë betimin si Kryetar Komune për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Skënderaj

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i sheh zgjedhjet e jashtëzakonshme në Skënderaj si të pashmangshme, nëse Sami Lushtakut i pamundësohet dhënia e betimit brenda afatit të paraparë.

“Ligji thotë se nëse brenda një muaji pas certifikimit të rezultateve Kryetari i Komunës nuk arrin që ta bëjë betimin, atëherë ai e humb mandatin”, thotë Driton Selmanaj, për lajmi.net.

“Kjo do të na sjellë në një situatë të pazakontë, sepse, realisht, vendimi i Gjykatës së EULEX’it thotë që t’u vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj. Kjo i bie që z. Lushtaku e ka të pamundur që ta bëjë betimin. Prandaj, nëse vazhdohet me këtë qasje, atëherë si duket shteti i Kosovës do të detyrohet të organizojë zgjedhje edhe një herë në Skënderaj”.

“Kështu thotë Ligji dhe nuk ka ndonjë interpretim tjetër ligjor”.

Sipas Selmanajt, PDK ka bërë gabim kur ka kandiduar persona me precedentë gjyqësorë në garën për Kryetarë të Komunave.

“Mendoj se ka qenë gabimi më i madh i PDK’së, sepse nuk ka element më të rëndësishëm në demokraci sesa të dalësh para qytetarit dhe të kërkosh votën e tyre. Prandaj, nëse ata të cilët kërkojnë votën e qytetarit, e nuk janë të pastruar me Ligjin, pavarësisht se çfarë kanë bërë  –  e aty vlen prezumimi i pafajësisë deri në momentin kur shpallet aktgjykimi – këta persona janë të pafajshëm”.

“Por, në demokraci duhet të ekzistojë edhe Ligji tjetër moral i përgjegjësisë. Që personat të cilët kanë problem me Ligjin, do të ishte mirë t’i pastronin problemet me Ligjin, e më pas të kandidojnë”, thotë Selmanaj.

Sipas tij, shkuarja e eventuale e Skënderajt në zgjedhje të jashtëzakonshme, që matematikisht i bie në janar, do t’i kushtonte edhe Buxhetit të vendit, për shkak të angazhimeve në përgatitje të KQZ’së dhe partive politike.

Por, ka edhe një mundësi.

Nëse mbrojtja e Sami Lushtakut bën ankesë ndaj vendimit për zgjatjen e paraburgimit dhe Trupi Gjykues e pranon atë, atëherë Sami Lushtaku do të mund ta bënte betimin si Kryetar i Skënderajt dhe t’i shmangte zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës.