Muja: Veseli e ka në dorë zgjidhjen për demarkacionin

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Shaip Muja, ka thënë se Kadri Veseli e ka në dorë zgjidhjen e problemit të demarkacionit.

Lajme

03/07/2016 15:36

Sipas tij, një gjë e tillë mund të bëhet brenda 24 orëve për të shkuar pastaj te vendimi për zgjedhje të parakohshme.

Këtë propozim Muja e ka dhënë teksa ka treguar se Kadri Veseli udhëheq me partinë më të madhe në Kosovë, PDK-në dhe është në pozitën nga e cili mund t’i kërkojë përgjegjësi Qeverisë për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

“Kadri Veseli ka mundësi te dëgjoj të gjitha palët dhe të bëjë një agjendë, e cila për 24 orë arrin zgjedhjen sipas eksperteve, dhe nëse arrin që të bëjë këtë agjendë, ai do jetë shpëtimtari i situatës dhe zgjedhjeve të parakohshme, sepse këtë patate të nxehtë askush se mbanë në dorë nga liderët tutje”, ka shkruar Muja, në një tekst autorial, botuar në gazetablic.com

Ai ka thënë se në situatën aktuale asnjë deputet s’do të votojë pro demarkacionit për shkak të rrezikut që të hyjë në histori si tradhtar.

“Pse kjo çështje vonohet, unë s’di çka të them, por di të them se pavarësisht thirrjeve, presioneve atyre kombëtare e ndërkombëtare në këtë situatë asnjë deputet nuk do të ketë guximin pa u bindur plotësisht nuk do ta votojnë demarkacionin. Kadri Veseli, lideri i PDK-së dhe Kryetari i institucionit më të lartë të vendit – Parlamentit, e ka në dorë, të kërkojë zyrtarisht nga qeveria sjelljen e materialit për Kryesine e Kuvendit dhe deputetët”, ka propozuar ai.

Shaip Muja është deputet që ka hyrë në Parlament me votat e PDK’së. Ishte prishur me Hashim Thaçin, pasi ky i fundit s’e kishte bërë Ministër Shëndetësie. Ishte deklaruar se mbetet deputet i pavarur, por prej ardhjes së Kadri Veselit në krye të PDK’së, ai duket se përsëri është rikthyer partisë së tij.